Ka ndërruar jetë skulptori, Luan Mulliqi, anëtar korrespodent, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Sipas njoftimit, Luan Mulliqi lindi në Gjakovë në vitin 1953. Kreu studimet për skulpturë në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë (1977), ndërsa studimet pasuniversitare në Beograd (1979).
Ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1977 dhe më pas i disa asociacioneve të artistëve dhe të skulptorëve në SHBA. Mori pjesë në shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar dhe botoi një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë.
Është autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë. Krijimtaria e tij artistike përfshin skulpturën monumentale bashkëkohore dhe atë kombëtare, duke e transformuar në një stil modern. Hapi disa ekspozita personale (Beograd 1979, Çikago 1992, Dallas 1994, Nju-Jork 1995, Prishtinë 2008, Vjenë 2012, Timihoara 2014, Prishtinë 2016 etj.) dhe mori pjesë në shumë ekspozita kolektive jashtë vendit (Shqipëri, Kroaci, Holandë, Kanada, Japoni, Itali, SHBA, Gjermani, Indi, Maqedoni, Francë etj). Ishte fitues i disa çmimeve në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare: çmimi për skulpturë në Fakultetin e Arteve në Beograd (1978), çmimet “Mosha Pijade” (1979), “40 vjet revolucion” (1981), Bienalja e Vizatimit (1983), Salloni Pranveror (1985), shtatorja e “Nënë Terezës” (2000), “Skënderbeu, strateg dhe diplomat” (2004), të gjitha në Prishtinë, pastaj për monumentin e Nënë Terezës në Tiranë (2005), shtatoren e Fehmi Aganit në Prishtinë (2006) etj. Veprat e tij gjenden në disa galeri dhe muze të ndryshëm. Disa prej tyre janë pjesë e koleksioneve private si dhe të personaliteteve të njohura. Për disa vjet ishte ligjërues në Universitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Prishtinës. Ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, ndërsa nga viti 2012 ishte anëtar korrespondent në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sekretar i Seksionit të arteve dhe sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Me këtë rast Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton se më 23 tetor ora 11:00 në mjediset e saj do të mbahet mbledhja komemorative, ndërsa në ora 11:30 fillojnë homazhet për të ndjerin.
Funerali niset nga ASHAK-u në ora 13:00.
Varrimi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës në orën 16:00. /KP