Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video të veturës në të cilën u gjet mjet eksploziv i pashpërthyer mëngjesin e së martës.
Sveçla ka publikuar videon në ‘Facebook’, teksa e ka cilësuar si “tendencë për kontroll të komunitetit serb në Kosovë”.
“Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftnxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm. Tendenca për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë vazhdon, por çdo ditë me më pak sukses”, ka shkruar ai.
“Zërat kundërshtarë në radhët e komunitetit po shtohen çdo ditë, për të çliruar qytetarët nga gangsterët dhe kuazi politikanët pro Serbi”.
“Kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha. Tani, shteti ligjor është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës sonë. Siguri, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë pa dallim dhe llogaridhënie për shkelësit e ligjit”, përfundon postimi i tij.
Një sasi eksplozivi i pa shpërthyer është gjetur në një veturë në Leposaviq mëngjesin e së martës.
Lajmin për Gazetën Insajderi e ka bërë të ditur zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes ishin njësiti K9, EOD dhe KFOR-i amerikan. Mjeti shpërthyes është larguar për t’u dërguar në një zonë të sigurt pas pesë orësh.
“Sot rreth orës 11.00 Policia ka pranu informacion se nën një veturë në qytetin e Leposavicit gjondet një mjet i dyshimt i pashpërthyer. Policia ka reaguar menjëhere dhe në vendin e ngjarjes janë përgjigj njësit relevante policore duke përfshir edhe Njësin K9 dhe EOD të Policisë. Prezent ishin edhe EOD e KFORI-it Amerikan”, la njoftuar ai.
“Mjeti i pashpërthyer është tërhequr nga vendi në mënyrë të sigurt, ndërsa policia rreth orës 16:20 është largu nga Vendi i ngjarjes. Në konsultim me Prokurorin, rasti është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe po hetohet nga ana e jonë”.