Dyzet e shtatë policë janë lënduar nga sulmet e protestuesve kundër propozimit francez në Shkup të Maqedonisë së Veriut. 11 policë janë lënduar më rëndë, ndërsa dy prej tyre e kanë gjendjen më serioze.
Lëndimet kanë ndodhur kur protestuesit hodhën fishekzjarre, bomba tymuese, sende të ndryshme të forta, gurë drejt policisë dhe Kuvendit ku u shkaktuan edhe dëme të shumta materiale.
Edhe në mesin e protestuesve ka të lënduar, ndërsa rreth dhjetë prej tyre janë arrestuar tashmë.
Situata u përshkallëzua kur një grup me maska të zeza në fytyrë hyri në mesin e turmës dhe e theu kordonin policor dhe sulmoi policinë me sende të forta.
Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE ka thënë se protestën e kanë përshkallëzuar provokatorë të dërguar nga pushteti.
Ndërsa, pushteti dënoi VMRO DPMNE-në dhe dhunuesit për incidentet e shkaktuara në protestë, raporton euronews.
Përshkallëzimi i situatës filloi në momentin kur protestuesit kanë thyer xhamat e Ministrisë së Jashtme dhe kërkuan dorëheqjen e ministrit Bujar Osmani dhe në pankartat e tyre, emri i tij ishte deformuar në Bugar Osmani.
Më pas, ata marshuan drejt godinës së parlamentit maqedonas ku goditën me sende të forta kordonin policor që ishte vendosur në hyrje të ndërtesës.
Protestuesit kërkojnë që qeveria maqedonase të refuzojë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Sipas tyre, propozimi francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën dhe as historinë maqedonase.