Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Serbia do ta presë “momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë rastin”, duke aloduar në pushtim të Kosovës.
Vuçiqi paralamëroi Perëndimin.
“A i doni ata, atëherë ne nuk do të na keni. Ai i doni ata dhe i ndihmoi ata, në rregull ne do të mbijetojmë këtë. Por, jemi mjaftueshëm të mençur e të guximshëm, e kemi mësuar mjaftueshëm nga përvoja e asaj që na keni bërë 25 vjetët e kaluara, që të presim momentin më të mirë të mundshëm e të shfrytëzojmë rastin tonë”, tha Vuçiq.
Deklarimi i Vuçiqit është përcjellë me reagime të shumta.
Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk është hera e parë që Vuçiqi shfaq synimet për pushtim të Kosovës.
“Nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë bën deklarata të ngjashme përmes së cilës shfaq synimin e tij për invazionin në Kosovë. Në një rast të mëparshëm ka pasur si referencë konfliktin në Nagorno Karabakh ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit duke marrë si shembull veprimet e këtij të fundit. Kësaj radhe, ky kërcënim erdhi mu në përvjetorin e dakordimit në Ohër mbi Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazike. Si për të vërtetuar që Serbia fare nuk e ka mendjen te zbatimi i saj”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për KOHËN.
Kryeziu ka thënë se këto kërcënime e retorika luftënxitëse nga krerët e shtetit serb nuk duhen të kthehen në deklarata normale të rendit të ditës.
“Serbia vazhdimisht shprehet publikisht që nuk e njeh integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Veçanërisht u potencua ky mesazh i rrezikshëm me 26 tetor, pas takimit me krerë shtetesh dhe liderë të BE-së në Bruksel, aty ku dhe përsëri u refuzua nga ana e Vuçiq nënshkrimi i marrëveshjes. Edhe pse kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe retorika luftënxitëse nga krerët e shtetit serb kanë një histori të gjatë që përsëritet vazhdimisht, ato nuk duhet të kthehen në deklarata normale të rendit të ditës. Ato nuk mund të shpërfillen e as të injorohen, apo të cilësohen thjesht si deklarata për konsum të brendshëm. Ato duhet të përcillen me vigjilencë të lartë dhe të dënohen ashpër edhe nga komuniteti ndërkombëtar, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar e me radhë. Si një peng i së kaluar që është e i dëshpëruar që nuk mund ta kthejë kohë mbrapa, Vuçiq shpreson rrezikshëm që metodat e së kaluarës një ditë mund të jenë zgjidhja në të ardhmen”, ka thënë Kryeziu.