Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të iniciojnë kërkesë për shpërbërjen e Kuvendit.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të premten, Tahiri ka thënë se afati i fundit për shpërndarjen e legjislaturës së tetë është fundi i muajit prill, me ç’rast do të mundësohej që në qershor të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
“Duhet se paku 61 deputetë që ta rrëzojmë qeverinë, këta numra nuk i kemi. Për të dalë më lehtë nga kjo situatë e rëndë, i kemi dhënë një mundësi më të lehtë partisë në pushtet, që ta shpërbëjë Kuvendin”, ka thënë ai.
Tahiri shtoi se PDK-ja shumë shpejt do të nisë diskutimet edhe me partitë opozitare që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejt.
Ai ka folur edhe për komisionet hetimore të cilat po dështojnë të votohen nga pushteti. Tahiri ka thënë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për themelimin e tyre.
“Nuk do të heqim dorë, do të kërkojmë sërish themelimin e Komisionit hetimor për kontratat njëburimore. Po flasim për rreth 220 milionë euro që janë shpenzuar këto dy vjet pa llogaridhënie e pa transparencë. Nuk shoh që ka disponim nga LVV-ja për votimin e këtyre komisioneve”, ka thënë ai.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, janë deklaruar se e kanë propozuar datën 9 qershor si datë për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.