Rrjeti i fajdexhinjve/ Policia arreston të dyshuarin e radhës në Vushtrri

Më datën 11.04.2024, rreth orës 01:30, pas një pune operative dhe hetimore nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar është arrestuar i dyshuari A.G. si i dyshuar në rastin penal “Fajdeja”.  

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë me datën 18.10.2022, ka iniciuar rast për veprën penale ‘Fajde’ dhe me datën 20.10.2022 në Prokurorinë Themelore në Ferizaj ka dorëzuar kallëzim penal, kundër disa të dyshuarve, ndërsa gjatë hetimeve nën autorizimin e prokurorit të rastit me datën 04.05.2023, ka dorëzuar poashtu edhe një raport plotësues të kallëzim penal në Prokurorin Themelore në Ferizaj, kundër disa të dyshuarve e në mesin e tyre edhe për të dyshuarin A.G.

Më datën 17.05.2023, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, është kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit A.G. në Komunën e Vushtrrisë, ku gjatë kontrollit i dyshuari nuk është hasur në shtëpi dhe të njëjtit i është lënë ftesë që të paraqitet në polici në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa po më të njëjtën datë 17.05.2023, i njëjti është vendosur në kërkim policor në sistemin e policisë dhe  është arrestuar  dje më datë 11.04.2024.

Gjatë hetimeve të kryera deri me tani në këtë rast si të dyshuar janë tridhjetë e gjashtë (36) persona të përfshirë në rastin “Fajdeja” dhe nga ta, deri më tani si të dyshuar, janë të arrestuar njëzet e tetë  (28) persona.

Poashtu ende ka persona ne kërkim policor dhe me urdhër arrest te lëshuar. Gjatë hetimeve të rastit me autorizim të prokurorit të rastit dhe urdhëresë të gjykatës janë zhvilluar masa intensive të avancuara hetimore,  ndërsa rasti është ende në hetim nga ana Prokurorisë Themelore në Ferizaj.  

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në hetimin dhe zbulimin e të gjitha veprave penale në vend,  me theks të veçantë ato në kuadër krimeve të rënda dhe korrupsionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *