Ura e Ibrit, cështje kjo e diskutuar për dekada më radhë, pritet të hapet së shpejti. Kështu bëjnë të ditur burimet ekskluzivisht për Gazetën Neutral.
Kjo hapësirë e re sjell jo vetëm një lidhje të re për komunitetin tonë, por gjithashtu lejon rritjen e tregtisë dhe zhvillimin e infrastrukturës.
Pas luftës së viteve 1998/’99, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe.
Plani i Ahtisaarit – baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 – parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna të veçanta.
Më 2011, serbët lokalë vendosën aty barrikadat e para, për të kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës.
Më 2013 u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas ligjeve të Kosovës.
Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me copa betoni dhe me pemë. Pamja e re u quajt “Parku i Paqes”. Po atë vit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel për heqjen e barrikadave dhe për rivitalizimin e urës.
Më 2015 u hoq Parku i Paqes, me idenë e hapjes së urës për qarkullim.
Më 2016, palët në Bruksel u pajtuan për një plan zbatimi të marrëveshjes për urën.
Rivitalizimi i urës u përfundua nga Bashkimi Evropian më 2018 dhe kushtoi rreth 1.5 milion euro.
Aktualisht, ura mbetet e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.
Një tjetër problem për hapjen e urës ka qenë edhe konteksti për kufijtë komunalë.