Gjergj Dedaj po vazhdon dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së duke i përgënjeshtruar deklaratat e tij të mëhershme dhe duke mohuar vazhdimisht se ai ishte keqtrajtuar gjatë luftës. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, refuzoi në një moment kërkesën e tij që seanca të vazhdonte në privatësi.
Dedaj u pyet nga prokurorja për një artikull të gazetës “Bota Sot”, të 9 korrikut të vitit 2000, të cilin sipas Prokurorisë, ai ia kishte dorëzuar UNMIK-ut një vit më vonë.
“Ju keni nënshkruar më 4 shtator 2001 dhe ia keni dorëzuar UNMIK-ut. A është e vërtetë kjo?”, e pyeti prokurorja atë.
Dedaj kaloi te kërkesa e tij: “Dëshiroj të kaloni në seancë private nëse është e mundur”.
“Për çfarë arsye?”, ndërhyu gjykatësi.
“Sepse unë kam nipa e mbesa në Prishtinë, dhe unë jam shumë i shqetësuar – edhe një herë po ua them- për fatin e tyre, jo për fatin tim, fati im s’është i rëndësishëm”, tha Dedaj.
“Kërkesa juaj rrëzohet. Mund të vazhdoni prokurore”, tha gjykatësi Smith.
Më tej, Dedaj pranoi se atë artikull ia kishte dhënë UNMIK-ut në vitin 2001.
“Këto janë shkrime të gazetave. Normal qe ia kam dhënë unë…”, tha ai.
Dedaj vazhdoi duke thënë se po i rrezikohet familja.”Këtë nuk besoj që keni të drejtë ta bëni, por ju e keni mundësinë dhe vazhdoni bëjeni”, tha ai.
Pas këtyre fjalëve, prokurorja i kërkoi gjykatësit që seanca të bëhet private.
Për pak minuta, seanca kaloi në private, por më pas u hap sërish për publikun.