Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme me kabinetin e tij qeveritar, ka folur për rrezikun e sulmeve të dhunshme nga grupet kriminale serbe në vend.
Kurti tha se qëllimi është që të fajësohet Policia e Kosovës dhe se për këtë ata “nuk do të zgjedhin mjet”.
“Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim tavan, nuk do të zgjedhin mjet. Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia vetëm sa i ka inkurajuar”, tha ai.
Shefi i Qeverisë u shpreh se lirimi i kryeterroristit, Milan Radoiçiq, i cili mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit, është dëshmi dhe potencial për rigrupim dhe hakmarrje.
“Jemi 18 ditë pas sulmit paramilitar, terrorist e kriminal të 24 shtatorit. Shumëçka është ndryshe prej asaj të diele. Gjithçka do të ishte ndryshe në grupi terrorist dhe planet e tyre për aneksim të 4 komunave në veri të vendit nuk do të neutralizoheshin që në aktin e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka bërë shumë të dëshpëruar”, tha Kurti.
Më tej kryeministri Kurti u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos cyten nga ajo që mund të ndodhë.
“Andaj ju bëjë thirrje serbëve që ditëve të fundit të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet dhe aktet e dhunës dashakeqe. Në Kosovë, jemi të gjithë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe demokratik. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Të raportoni sjelljen e dyshimta në komunitetet tuaja, t’i përcjellni njoftimet e institucioneve, të ruani qetësinë në çdo situatë dhe të mos bini pre e dezinformatave”, ka shtuar shefi i ekzekutivit.