Drejtori i FC Prishtinës, Artan Osmani ishte pjesë e emisionit “Favorit” në T7 mbrëmë përmes një lidhjeje direkte.
Ai i përmendi dëmtimet, që sipas tij, po ia bën Federata e Futbollit të Kosovës përmes referëve, klubit kryeqytetas.
Osmani shton se prishtinasit e kanë humbur besimin në FFK, prandaj po mendojnë të shkojnë më larg, duke u ankuar në UEFA dhe në organet e hetuesisë, për ta ndalur, sipas tyre, të keqen që po i ndodh klubit të tyre, por edhe futbollit kosovar në përgjithësi.
Sipas tij, dëmtimet nga referët kanë ndikuar direkt që prishtinasit t’i humbin 12 pikë në këtë sezon, që nënkupton se këto vendime e kanë lënë ekipin Bardhekaltër edhe jashtë garës për titull të kampionit.
“I kemi llogarit saktë, sot do të ishim në garë për titull nëse nuk kishin ndodh intervenimet direkte të referëve. Janë 12 pikë që kanë influencuar direkt. “Ka shumë kohë që FFK-ja nuk është adresë për kurgjo mo. As për ankesa, as për kërkesa. Kjo tashmë e ka kalu edhe nivelin e ankesave sportive. Neve s’na ka mbet shumë, duhet me provu vetëm me organet e zbatimit të ligjit me pa nëse ka një mekanizëm që e rregullon këtë punë se kjo nuk është u përmirësuar, po dëmtohet klubi, po dëmtohen investitorët. Këta nuk janë donatorë, janë investitorë, njerëz që kanë pronë private, të cilën me qëllim po ia dëmton një organizatë që është dashur me u përkujdes për integritetin e garës.”
“Prishtina nuk është kundër Federatës, por kundër politikave dhe mënyrës se si menaxhohet Federata dhe qysh është i organizuar futbolli dhe në gjendjen në të cilën ka ardhur futbolli dhe do të jemi të tillë deri në gjendjen sa të mundemi me e mbajt klubin, kjo nuk do të ndryshojë. Janë njerëz që nuk shohin më gjatë, çështjet profesionale i marrin si personale. Është një situatë relativisht e pashpresë.”
“Ne nuk kemi nevojë t’i ndreqim e as t’i prishim me Federatën. Ne veç kemi nevojë me pas trajtim në raport me krejt tjerët. Nuk kemi se si të pajtohemi me Federatë kur qe tri vjet sa jam unë në klub, nuk janë në gjendje ta prezantojnë asnjë lloj projekti, asnjë gjysmë ndihme. Nëse liga e ka integritetin zero, nëse i ki prej pesë përfituesve më të mëdhenj prej sponsorizimit tri klube të basketbollit, e kur Federata e Futbollit është 15 herë më e madhe, atëherë qysh me u pajtu, me ja bo qefin, me thënë në rregull është kështu?”
“Prishtina nuk duhet me leju për ta humb identitetin e vetë pavarësisht se kush është duke e udhëheq e as kush është duke e financu. Është klub që i ka kundërshtu një pushteti të tërë që udhëheq me polici e me ushtri e tash me ju nënshtru disa individëve që nuk e meritojnë as me u përmend, kjo është e papranueshme. Të tjerët mund të vendosin se çfarë qasje do ta kenë, me ju nënshtru një subjekti tjetër sipas dëshirës. Por, ne nuk duam ta përçojmë te opinioni sportdashës atë idenë që ne duhet të pajtohemi me këndo që vjen aty (në FFK) për hir të një kokrre gruri që ta jep”
“Federata ia ka humb integritetin garës, e dijnë kush del i pari, kush del i dyti, kush e fiton Kupën, kush e fiton gjysmëfinalen, kush ka me ra prej ligës, kush ka me mbet në ligë. Këto probleme nuk e bëjnë garën interesante.”
“Futbolli kosovar është i pushtuar prej lajmeve të këqija, përdit, çdo javë.”
“Duhet ta bëjmë një raport goxha të detajuar për ta dërguar në UEFA dhe duhet të provojmë me organet e hetuesisë për ta parë nëse ka bazë të mjaftueshme që me mund me ndërpre në këtë moment. Sepse, neve do të vazhdojnë të na dëmtojnë edhe në ndeshjet tjera dhe më së keqti në lojë të kupës. Ne e kemi akoma gjyqin e hapur në CAS prej vitit të kaluar, akoma s’ka vendim, kur s’na licencoi për gara evropiane.”
“Nëse vazhdohet me këtë referim, mund të na eliminojnë edhe nga Kupa. Gjatë javës do t’i ndërmarrim disa masa që të paktën ndoshta do t’ua krijojnë një lloj frike, që do t’i detyronte gjyqtarët të mendojnë dy herë para se me marr vendime.