Grabitja e armatosur në argjendarinë “Diakos” që tronditi të mërkurën suharekasit ishte planifikuar si në filma nga grupi prej katër personave, të cilët mbushën çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u zhdukën. Para se të arratiseshin ata u gjuajtën me njësinë policore që intervenoi në vendin e ngjarjes, duke e lënë të plagosur një polic. Hetimet tashmë kanë nisur, por deri më tani dihen pak detaje për plaçkitësit e maskuar dhe të armatosur “deri në dhëmbë”.
Gjithçka dyshohet se ndodhi para orës 16:00, kur të dyshuarit ia mësynë argjendarisë, e cila ndodhet në rrugën “Brigada 123”, zbritën nga një veturë, të maskuar e të armatosur dhe tronditën punëtorin që ndodhej brenda.
Hajnat po dyshohet se kanë lidhur me rrip punëtorin e argjendarisë dhe nisën t’i zbrazin raftet e mbushura me stoli të arit ashtu siç e kishin planifikuar, teksa njëri prej tyre po bënte roje jashtë lokalit me kallashnikov, duke i tmerruar qytetarët në pikë të ditës.
Teksa grabitja po kryhej, dikush e njoftoi Policinë dhe intervenimi i njësisë policore ishte i shpejt, ku i gjetën të dyshuarit në vendin e ngjarjes, por që u konfrontuan me ta. Siç shihet në pamjet e publikuara nga Sinjali, posa arrin Policia, njëri polic del nga vetura zyrtare dhe aty nis shkëmbimi i zjarrit.
Për pasojë, një zyrtar policor u plagos me armë zjarri në këmbë, teksa gjatë aksionit mbeti i lënduar edhe një polic tjetër – gjendja e të cilëve fatmirësisht është stabile dhe të njëjtit janë jashtë rrezikut për jetë.
Kjo situatë alarmoi Policinë dhe vuri në lëvizje edhe njësi të tjera policore, por të dyshuarit arritën të largoheshin nga vendi i ngjarjes.