17 qershori ishte ditë e kobshme për familjen Berisha nga Podujeva. 45-vjeçari, Jakup Berisha, u nis në punë si çdo ditë tjetër, pa e ditur se një lëndim në vendin e punës do t’i shkaktonte atij vdekjen, raporton Gazeta Sinjali.
I ndjeri, ishte duke punuar në lagjen ‘Marigona Hill’, kur ra nga lartësia dhe në QKUK ndërroi jetë, derisa lëndime të rënda pësoi edhe një punëtor tjetër 21-vjecar.
Për këtë vdekje ishte hapur rast “Hetim mbi vdekjen” derisa tashmë burime të Sinjalit brenda Prokurorisë, bëjnë me dije se vepra është ri-cilësuar “Punime ndërtimore të kundërligjshme”
Pas ri-cilësimit të veprës, dy persona janë intervistuar nga Policia.
Sinjali merr vesh se bëhet fjalë për menaxherin e kompanisë “Brezi Kufitar” si dhe kryepunëtorin e kompanisë.
Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.