Një 40-vjeçar nga fshati Bresalc i Gjilanit është ndaluar të hënën për 48 orë nga Policia, pasi i njëjti dyshohet se e ka dhunuar një 14 vjeçare.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, i njëjti dyshohet se e ka dhunuar disa herë viktimën gjatë muajit gusht.
Rasti i fundit, sipas provave të mjaftueshme që ka siguruar prokuroria, ishte javën e kaluar.
Paparaci, mëson se i dyshuari gjatë intervistimit në prokurori nuk i ka pranuar akuzat mbi të cilat ngarkohet.
Ai e ka mohuar se e ka dhunuar të miturën. Rastin në organet kompetente e kishte denoncuar babai i viktimës.
Prokuroria dhe Policia kanë nisur hetimet për rastin. Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, deklaroi sonte se policia ka pranuar informata për rastin e këtij dhunimi.
“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, njësiti i hetimeve rajonale me datën 28.08.2023 ka pranuar informacion për një rast ,,Dhunim’’, në të cilin rast viktima e rastit është e moshës së mitur. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit për të mitur me urdhër të së cilit një i dyshuar i moshës madhore është ndalur në mbajtje për 48 orë”, tha ai.