Policia e Kosovës ka kryer tri bastisje në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Këtë për Express e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani.
Ai tha se bastisjet kanë përfunduar derisa nuk tregoi nëse është gjetur ndonjë dëshmi.
Më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup personash të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, një polic të plagosur dhe një të lënduar. Pas këtij sulmi, terroristët u futën në manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan të shtënat me armë zjarri.
Deri tash është konfirmuar se tre prej sulmuesve janë vrarë, ndërsa ministri Sveçla ka thënë se kanë indikacione që numri i tyre është më i madh. Shumica e sulmuesve arritën që të ikin maleve e të kalojnë në Serbi.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq.