Lajçak: Të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes

I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në përmbledhjen javore të agjendës së tij, ka shkruar për takimet e të enjtes që u zhvilluan në Bruksel, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq patën me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Evropian,  Charles Michel dhe shefin e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Lajçak ka treguar, se Kurti dhe Vuçiq janë treguar të gatshëm për zbatimin e marrëveshjes, por kanë pasur mospajtime për modalitetin.

Më tutje, emisari i BE-së, ka thënë se Kurti dhe Vuçiq kanë pasur pyetje e komente, duke shtuar se shpreson se do të sqarohen gjatë javëve të ardhshme.

Përpos kësaj, Lajçak përmendi edhe Asociacionin  e komunave me shumicë serbe, duke thënë se po kërkojnë opsione moderne evropiane.

Por ai shton se Asociacioni nuk është vetmja çështje që ka nevojë për zbatim, pasi edhe Serbia ka obligime të pazgjidhura.

”E mirëpres që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet. Ata kishin komente dhe pyetje për propozimin evropian për statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin ua kemi paraqitur gjatë misionit tonë të përbashkët të shtunën e kaluar”.

”Shpresoj se do të jemi në gjendje të sqarojmë pyetjet dhe shqetësimet e hapura në javët në vijim. Statuti ynë propozon një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane dhe nuk i kalon kufijtë e kuq të Palëve siç janë përcaktuar më parë. Por ky nuk është i vetmi element që ka nevojë për zbatim. Edhe Serbia ka shumë obligime të pazgjidhura nga Marrëveshja dhe ne duhet të shohim që zbatimi të përparojë paralelisht, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të marrin atë që kanë rënë dakord. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa. Siç u shpreh qartë tre liderët evropianë, formalitetet nuk duhet të pengojnë këtë proces të rëndësishëm. Me këtë në mendje, unë do të ftoj kryenegociatorët së shpejti në Bruksel për të diskutuar hapat e ardhshëm”, ka thënë Lajçak

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *