Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është shumë e pëlqyer për energjinë e saj që dhuron në skenë.
Ajo ka kënduar në shumë vende të botës, veçanërisht gjatë turneut të saj “Future Nostalgia” vitin e kaluar, ku interpretoi thuajse në të gjitha kontinentet.
E duke pasur kaq shumë paraqitje, sigurisht që të pashmangshme nganjëherë janë edhe incidentet e vogla në skenë.
Së fundmi, një faqe e fansave të artistes ka rikthyer në vëmendje momentin kur Dua gjatë një shfaqjeje ishte gati duke u rrëzuar.
Bëhet fjalë për performancën e këngës “Levitating” e cila karakterizohet me balona të mëdhenj me dizajn hëne të cilat i bashkohen në skenë.
Mirëpo në një moment kur ajo tenton ta ndalë balonin me këmbë, taka e saj ngec tek baloni dhe këngëtarja has në vështirësi për të dalë nga gjendja.
Ajo thuajse është gati të rrëzohet po të mos i vihen në ndihmë balerinat që ka në krah, të cilat më pas e largojnë balonin e shqyer.
Videoja në fjalë është shpërndarë me të madhe së fundmi në rrjetin social Instagram.