Çka thotë BE-ja, çka Qeveria e Kosovës e çka citon t’i ketë thënë ndërkombëtarëve Vuçiqi për Asociacionin

Bashkimi Evropian është në pritje të palëve, në këtë rast të Kosovës dhe Serbisë, për të ecur para në propozimin evropian, i cili, sipas tyre, në parim është pranuar nga palët dhe i njëjti duhet të zbatohet pa parakushte. Ajo që në këtë fazë po i kërkohet Kosovës është statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Zyrtarë të BE-së theksojnë se propozimi i ri për themelimin e Asociacionit është i balancuar.

Një propozim i ri evropian për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për ‘Rrugën drejt Normalizimit’ tashmë është në tavolinën e Kosovës dhe Serbisë. Ajo çka i është kërkuar Kosovës me urgjencë, ka qenë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Megjithatë, përmbajtja e cila u është dorëzuar palëve vazhdon të jetë sekret. Për këtë edhe kryeministri Albin Kurti foli gjatë raportimit në Kuvend për dialogun e ku tha se i është kërkuar të mos flasë në detaje. Megjithatë, sipas tij, drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Për këtë draft janë deklaruar për RTK-në zyrtarë të Bashkimit Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thekson se në takimin e 26 tetorit, në Bruksel, palët kanë pranuar propozimin e liderëve evropianë.

“Ata paraqitën një propozim të ri të balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave dhe këmbëngulën që palët të fillojnë zbatimin e tij. Kjo do të çonte përpara procesin e normalizimit dhe do të zbuste rrezikun për përshkallëzim dhe dhunë të re.  Në takim palët sinjalizuan gatishmërinë ‘parimisht’ për ta pranuar këtë propozim evropian, por të dyja kishin parakushte që të ishin të papranueshme nga pala tjetër. Ne presim që kjo gatishmëri të çojë në zbatim pa vonesa të mëtejshme. Parakushtet nuk janë të pranueshme”, tha Stano.

Në anën tjetër në disa media në Kosovë janë publikuar materiale në të cilat pretendohet se janë pjesë të draft-statutit të Asociacionit të propozuar, mirëpo që të njëjtat janë demantuar nga zyrtarët qeveritarë. Ndërkohë që BE thotë se dokumenti i dorëzuar nuk është publik.

“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim dhe ne asnjëherë nuk kalojmë dokumente zyrtare që po diskutohen, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar. Është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet e medieve që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”, shtoi Stano

Për më tepër, BE thekson se të dyja palët do të vlerësohen mbi performancën e tyre individuale të zbatimit.

Kurse zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. “Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës”

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, sot paradite, ka shpërndarë një lajm të publikuar ditë më parë nga mediumi amerikan “Fox Neës”, ku mes tjerash thuhet se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së fundit në Kosovë dhe Serbi, kërkoi njohjen de facto dhe autonomi për serbët e veriut. Hoti ka kërkuar reagimin e kryeministrit Kurti dhe të presidentes Osmani, duke shkruar se nëse kjo s’është e vërtetë, Osmani e Kurti duhet ta demantojnë

Ndaj këtij lajmi kanë reaguar nga Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se për momentin është e paqartë nëse lajmi në mediumin amerikan i referohet një citati të drejtpërdrejt të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen apo është interpretim i vet mediumit mbi deklarata të presidentes Leyen.

“Ajo çka duam ne të theksojmë është se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës, aty ku do të anëtarësohet Republika jonë; por asnjëherë autonomi, defunksionalizim, fragmentim, apo çkado tjetër që nuk e lejon Kushtetuta e Republikës”, ka thënë Kryeziu.

E, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë edhe një herë sonte se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe këtë ua ka thënë në sy liderëve të Bashkimit Evropian dhe të tri shteteve, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Vuçiq ka deklaruar për tanjug se Emmanuel Macronit, Olaf Scholz, Giorgia Melonit, Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut “ia kam thënë në fytyrë se nuk vjen në shprehje njohja e pavarësisë e Kosovës”.

“Se nuk do ta nënshkruaj dhe nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës. Dhe ata e dinë këtë”, tha ai, citon danas.

Megjithatë, lideri serb thotë se nuk po ia kërkojnë njohjen e Kosovës, por se në takimin e fundit në Bruksel më kanë pyetur se kur do t’i nënshkruajë marrëveshjet e arritura.

“Ata thonë – ju e keni këtë mundësi, a doni ta nënshkruani? Nuk dua. Nuk është e lehtë tu thuhet kjo sepse këta janë njerëz seriozë, vendet përgjegjëse për fatin e Evropës…”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse kërcënohet, ai u përgjigj se nuk do të gënjejë nëse thotë se janë kërcënime, sepse liderët evropianë nuk përdorin një fjalor të tillë, por se e kupton shumë mirë se Serbia mund të përballet me pasoja të caktuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *