Dyshimet se i përdoren mjetet ushtarake amerikane, njohësit: Ndëshkimi për shtetin serb do të jetë i madh

Ditë më parë janë ngritur dyshime për përdorimin e automjeteve ushtarake amerikane në stërvitjen e terroristëve në bazat ushtarake në Serbi. 

Sipas njohësve të sigurisë, nëse kjo vërtetohet, pritet që Serbia ta paguajë një faturë të lartë. Ndëshkimi, sipas tyre, mund të jetë në shumë aspekte dhe nuk do të jetë individual, shkruan RTK.

Departamenti Amerikan i Shtetit ia konfirmoi një ditë më parë RTK-së se Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisje të ofruara nga SHBA kudo në botë. Në pyetjen nëse kanë informata rreth mundësisë së keqpërdorimit të pajisjeve ushtarake të dhuruara si donacion Serbisë në vitin 2017, një zëdhënës i departamentit iu përgjigj se janë duke e shqyrtuar këtë çështje duke mos dhënë detaje të tjera.

Kjo përgjigje e departamentit amerikan të shtetit erdhi pas ngritjes së dyshimeve se terroristët serbë, të cilët sulmuan veriun e Kosovës më 24 shtator si agresion i Serbisë ndaj Kosovës, u trajnuan nëpër bazat ushtarake serbe paraprakisht me automjete ushtarake amerikane të tipit Humvee.

Nëse kjo vërtetohet, pritet që Serbia të paguajë një faturë të lartë. Ndëshkimi mund të jetë në shumë aspekte dhe nuk do të jetë individual, thotë eksperti i sigurisë, njëherësh ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani.

“Shteti serb do të konsiderohet si shtet joserioz dhe jo kredibil, për SHBA-në dhe shtetet e BE-së. Kjo është pasoja e parë, e pastaj në mënyrë të organizuar shtetit serb do t’i vendosen edhe sanksione ushtarake të pajisjeve ushtarake e të komunikimit e bashkëpunimit ushtarak. Në aspektin individual shtet me shtet, besoj që kjo ngjarje do të ndikojë në ndërprerjen e stërvitjeve ushtarake, projekteve të përbashkëta ushtarake dhe të mbrojtjes, sikurse edhe planifikimi i përbashkët në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Dhënia në shfrytëzim e mjeteve ushtarake për qëllime të ligjshme dhe përdorimi i tyre për akte terroriste ndaj një shteti tjetër, do ta penalizojë Serbinë në disa drejtime, thonë në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.

Për çështjen e armëve, muaj më parë ka ngritur shqetësim edhe kryetarja e komisionit për politikë të jashtme në parlamentin britanik Alicia Kearns.

Ajo i ka kërkuar Britanisë ta ndalojë shitjen e armëve Serbisë pas ngritjes së shqetësimeve se po kontrabandoheshin armë përmes autoambulancave nëpër manastiret ortodokse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *