Gazeta opozitare serbe Nova pretendon të ketë mësuar që kryeministrit Kurti i është dhënë një afat për të marrë vendim përfundimtar në lidhj me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ky afat, për ironi, është data e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurti.
Kështu ka transmetuar edhe mediumi kosovar në gjuhën serbe, Kosovo-Online.
Deri më tash, Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë ka organizuar dy takime në lidhje me Asociacionin, njërin më 31 janar dhe tjetrin më 9 shkurt.
Siç ka mësuar Nova, përfaqësuesit e ShBA-ve i kishin pasur dy pyetje për pjesëmarrësit në këto takime: Çfarë ishte Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe sipas opinionit të tyre dhe si mund të përshtatej në sistemin legal të Kosovës?
Konkluzioni kishte qenë se Asociacioni nuk mund të formohej pa ndryshuar një pjesë të ligjeve të Kosovës, përfshirë edhe Kushtetutën, por edhe se nuk mund të ishte nivel i ndarë i qeverisjes, si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sipas asaj që raporton Nova, shumica e përfaqësuesve të partive politike shqiptare në Kosovë ishin pro formimit të Asocaicionit, me anëtarë të partisë së Ramush Haradinaj që besonin se “duhej të formohej sa më parë që të ishte e mundur”.
Kundërshtarët më të mëdhenj ishin përfaqësuesit e (sic) Albin Kurtit, Vjosa Osmanit dhe partisë boshnjake.
Sipas Novas, ka pasur një takim ku pjesëmarrës ishte vetëm kryeminisri i Kosovës, Albin Kurti.
Në atë takim, raportohet se Kurtit i është dhënë një afat final për të dhënë përgjigjen e tij përfundimtare në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Është 17 shkurti, dita kur Kosova e feston 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj.
“Në këto takime, po ashtu u diskutua që nëse ndodhte ndryshe (nuk formohej Asociacioni) KFOR-i do t’i largonte njësitet e policisë speciale nga veriu i Kosovës, duke rrezikuar mbijetesën e pikave të kontrollit nga policia dhe bazave që janë ndërtuar për muaj të tërë në Leposaviq dhe Zubin Potok,” – shkruan Kosovo Online.
Ndërkohë, afat kohor raportohet të ketë edhe propozimi franko-gjerman, i quajtur tashmë edhe si propozim i BE-së. Kurti më herët gjatë javës ka treguar gatishmërinë e tij që ta pranojë këtë plan si bazë të mirë për diskutime të mëtejme.