MPJD jep detaje për kosovarët e prekur nga tërmeti në Turqi

Mëngjesin e së hënës Turqia dhe Siria u goditën nga një tërmet i fuqishëm. 

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për Indeksonline kanë dhënë detaje për zhvillimet atje, duke marrë parasysh që ka kosovarë që jetojnë në atë zonë.

Siç thuhet në përgjigje, “Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, qysh në mëngjesin e datës 6 shkurt (E hënë), ka filluar kontaktet me autoritetet vendore turke për të hulumtuar për shtetasit tanë që mund të jenë në zonat e prekura nga tërmeti”.

Përgjigja e plotë nga MPJD:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, qysh në mëngjesin e datës 6 shkurt (E hënë), ka filluar kontaktet me autoritetet vendore turke për të hulumtuar për shtetasit tanë që mund të jenë në zonat e prekura nga tërmeti.

Fillimisht ka arritur informata se një familje nga Kosova gjendet në qytetin Gaziantep (vatër e tërmetit).

Ambasada ka kontaktuar direkt me familjen dhe ka mësuar se gjendja e tyre shëndetësore ishte e mirë, por se ishin të shqetësuar nga tërmeti.

Në bisedë me Ambasadën e Kosovës, ata kanë treguar se shtëpia ku kanë banuar është dëmtuar, dhe se gjatë ditës autoritetet vendore i kanë evakuuar ata në një sallë sportive.

Në një bisedë të dytë më kryefamiljarin, ambasada u njoftua se ata tashmë kanë blerë bileta të autobusit për udhëtim nga qyteti i Gaziantepit për në Kosovë.

Ditën e njëjtë, Ambasada e Kosovës në Ankara, ka marrë informata se një delegacion i Federatës së Mundjes së Kosovës, ka qenë në qytetin Kahramanmarash me datat 4 dhe 5 shkurt si pjesëmarrës në turneun ndërkombëtar të mundjes.

Sipas një anëtari të këtij delegacioni, e gjithë skuadra ka shpëtuar pa pasoja edhe pse në afërsi të hotelit ku kanë qëndruar ata, ka pasur lëkundje toke dhe ndërtesa të rrënuara.

Me vetiniciativë, nga qyteti Kahramanmarash ata kanë udhëtuar në qytetin Kajseri duke u larguar nga zona e prekur nga tërmeti.

Në mbrëmjen e vonë të datës 6 shkurt, ata kanë udhëtuar me autobus për në Stamboll, për të parë që aty mundësitë e vazhdimit të kthimit në Kosovë.     

Në orët e mbrëmjes të datës 6 shkurt, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është kontaktuar nga një familjare e një qytetareje të Kosovës që jeton në Gjermani, por që në momentin e tërmetit ka qenë për vizitë në qytetin Kahramanmarash, se ajo dëshiron të kthehet në Kosovë. Gjendja shëndetësore e saj ka qenë e mirë dhe pas kontaktit me ambasadën ajo ka blerë biletën dhe është kthyer ne Gjermani.     

Ndërsa të martën (7 shkurt) në numrat emergjent që Ambasada dhe Konsullata e Kosovës në Turqi, kanë vendosur në dispozicion për qytetarët, janë kontaktuar nga një nënë që bashkë me vajzën e saj 4 vjeçare duan të kthehen në Kosovë, por që dokumentet e udhëtimit i kanë humbur nën rrënoja.

Ambasada e Kosovës në Ankara është në kontakt me shtetasen në fjalë, e cila ka theksuar se është mirë me shëndet, dhe në bashkërendim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm për fletudhëtime për të dhe vajzën e saj.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll, mbesin në komunikim me shtetasen në fjalë, për të parë opsionet e udhëtimit të saj për Stamboll dhe më pastaj për në Kosovë.

Në mbrëmjen e datës 7 shkurt Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është kontaktuar në numrin emergjent nga një shtetas i yni. Tërmeti e kishte zënë në qytetin Gaziantep, e pastaj ishte larguar nga aty në qytetin Adiyaman që gjithashtu është goditur nga tërmeti me qëllim që nga aty të udhëtojë për Stamboll. Në mëngjesin e datës 8 shkurt, ka arritur që me një aeroplan transportues ushtarak të udhëtoj në Stamboll. Me datë 8 shkurt nga Stambolli ka udhëtuar për Prishtinë me fluturim të rregullt.

Në mëngjesin e datës 8 shkurt Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara ka kontaktuar me familjarët e një shtetasi tonë që jeton dhe punon në Gaziantep, që ai dhe familja e tij kanë shpëtuar pa lëndime, dhe se me veturën e tyre janë nisur për në Ankara.

Po ashtu mbrëmë (8 shkurt), një shtetase e Kosovës ka arritur me aeroplan nga qyteti i Gaziantep në Ankara, ku ekipi i ambasadës ka dal në aeroport që ta pres dhe ia ka siguruar akomodimin në një hotel.

Ndërsa referuar informacioneve të pranuara nga Bashkësia e Studentëve të Kosovës në Turqi (TOKOB), nuk ka studentë nga Kosova që studiojnë në zonën e prekur nga tërmeti.

Ambasada e Kosovës në Ankara dhe Konsullata e Përgjithshme në Stamboll do të vazhdojnë që edhe në ditët e ardhshme përmes kanaleve zyrtare dhe jozyrtare të hulumtojnë për shtetas të tjerë që eventualisht mund të jenë në zonat e prekura nga tërmeti.

Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Mbrojtjes ka dërguar kontingjenti e parë në  operacionin e kërkim- shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi, ndërsa presidentja e Republikës së Kosovës, në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar ka shpallur ditën e mërkurë (8 shkurt 2023), ditë zie.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara si dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll, janë në gjendje gatishmërie për çdo ndihmë dhe asistencë për shtetasit e Kosovës, të cilët mund të telefonojnë në numrat emergjent si më poshtë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99

Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *