Qeveria nuk ndanë buxhet për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë

Për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës do të ketë 30 ditë aktivitete të ndryshme festive. Megjithatë, për manifestimin e kësaj date të rëndësishme shtetërore, qeveria nuk ka ndarë mjete shtesë financiare.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se nuk do të ketë buxhet qendror të planifikuar për shënimin e 15-vjetorit të shtetësisë së vendit.

Sipas ekzekutivit, do të ketë një lloj buxheti të decentralizuar ku secili institucion bartës i aktiviteteve i siguron mjetet financiare brenda buxheteve vetanake.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KP se për shkak të aktiviteteve të shumta, Këshilli Shtetëror Organizativ është pajtuar që secili institucion përgjegjës për aktivitetet e veta, buxhetin e siguron nga buxhetet vetanake.

“Vendimi i Qeverisë për themelimin e Këshillit Shtetëror Organizativ nuk e specifikon buxhetin. Për shkak të vëllimit shumë të madh të aktiviteteve dakordimi brenda Këshillit ka qenë që secili institucion përgjegjës për aktivitetet e veta, buxhetin e siguron nga buxheti vetanak. Pra nuk do të ketë buxhet qendror të planifikuar por do të jetë një lloj buxheti të decentralizuar ku secili institucion bartës i aktiviteteve e siguron buxhetin brenda buxheteve vetanake në përjashtim të rasteve kur kemi nevoja shumë më të mëdha buxhetore atëherë do të ketë ndarje shtesë nga Ministria e Financave. Megjithatë, në parim po flasim për një buxhet të konsiderueshëm”, theksoi Kryeziu.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën ka prezantuar programin shtetëror për manifestimin e 15-vjetorit të pavarësisë dhe 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Përgjatë tridhjetë ditëve, prej datës 9 shkurt deri më 12 mars do të ketë aktivitete për shënimin e këtyre dy datave të rëndësishme dhe jubilare të Kosovës.

E përgjatë këtyre ditëve nuk do të mungojnë as aktivitetet tashmë tradicionale që nga seanca solemne e kuvendit deri te parakalimet e FSK-së në sheshet e Prishtinës.

Më 17 shkurt këtë herë nga Qeveria e Kosovës do të mbahet edhe një mbledhje solemne.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008.

Më 17 shkurtl, agjenda:

Fillon në 08:00 me mbledhjen festive të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në 08:20 bëhet ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës dhe vazhdohet me nderime te monumenti i të pagjeturve për të pasuar me homazhe te varri i ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova, homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaqi dhe homazhe në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz.

Në orën 10:30 fillon interpretimi i Filharmonisë së Kosovës brenda sallës solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në orën 11:00 menjëherë pas interpretimit të Filharmonisë mbahet seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në orën 11:20 bëhen nderime te monumenti i Policëve të rënë në detyrë dhe gjithashtu pas asaj vazhdohet me nderime të Monumenti “Heroinat”.

Parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës do të mbahet në sheshet qendrore të Prishtinës dhe fillon në orën 12:00 me datë 17 shkurt.

Në pasditën e 17 shkurtit pas parakalimit të trupave të FSK-së dhe Policisë do të bëhet ndezja e 1133 qirinjve para Teatrit Kombëtar të Kosovës në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës.

Në orën 17:00 bëhet pritja shtetërore nga Presidentja e Republikës së Kosovës, ndërsa koncerti i Pavarësisë i organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK) në sallën “1 Tetori” do të fillojë në orën 20:15.

Dhe gjatë 17 shkurtit në disa nga përfaqësitë tona diplomatike nëpër botë do të ketë edhe pritje zyrtare dhe ngjarje muzikore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *