Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjetin social TikTok shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallë herë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, ata shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.
Një rast i tillë ka ndodhur me banorin e fshatit Shtupel të Klinës, i cili kishte publikuar një video në rrjetin social TikTok ku shihej duke shtënë me armë zjarri.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se njësitë policore kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar armën e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.
Po ashtu 42-vjeçari i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka deklaruar se ka shtënë me armën e cila është e pajisur me leje për shenjëtari, por kjo ka ndodhur disa vite më parë.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.