Shqipëria i është përgjigjur menjëherë thirrjes për ndihmë, pas tërmetit shkatërrimtar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë që shkaktoi viktima të shumta, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit janë 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete po punojnë që prej paradites së sotme në Malatya të Turqisë.
Në lidhje përmes Skype nga Malatya, për “KlanNews ka qenë Kolonel Dr. Elton Reso, drejtori i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, njëkohësisht është komandanti i efektivëve të misionit të Forcave të Armatosura dhe Personelit në ndihmë të popullit turk.
Kolonel Dr. Elton Reso është shprehur se ekipi shqiptar është duke punuar për të shpëtuar njerëz nga rrënojat në një pallat 6-katësh të shembur atje.
Mes të tjerash, Kolonel Dr. Elton Reso ka thënë se ekipi shqiptar ka shpëtuar nga rrënojat një fëmijë 4-vjeçar teksa thotë se ekipi ndërhyri menjëherë sapo dëgjoi zërin e të miturit.
Si është situata atje?
Kolonel Dr. Elton Reso: Situata është dëshpëruese. Me këto që kemi parë sepse ne kemi mbërritur sot rreth orës 10:00 në këtë qytet, ka shumë ndërtesa të shkatërruara dhe mbi të gjitha nga puna që po kryejmë në vazhdimësi, duket se ka edhe shumë jetë të humbura.
Sa operacione keni kryer deri tani, ku po ndihmoni konkretisht?
Kolonel Dr. Elton Reso: Konkretisht, operacioni jonë konsiston në kërkim-shpëtimin. Pra, kemi ardhur me një ekip të Forcave të Armatosura, rreth 25 vetësh, të cilët janë të specializuar në kërkim-shpëtimin dhe momentalisht jemi në një ndërtesë 6-katëshe e cila është e rrëzuar dhe që mendohet se ka shumë banorë që kanë humbur jetën. Paradite kemi qenë në një tjetër zonë ku dhe atje ishte një ndërtesë tjetër e shkatërruar. Ekipi jonë ndërhyri, kreu misionin e tij. Atje u gjetën 3 viktima, por nga ana tjetër duke punuar u dëgjua dhe një zë fëmije, ekipi jonë ndërhyri menjëherë dhe bëmë të mundur shpëtimin e një fëmije 4-vjeçar.