Ballkani dërgon ekipe shpëtimi në Turqi

Pas tërmetit të madh që goditi Turqinë, qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor po organizojnë intensivisht dërgimin e ndihmës në Ankara në këto momente të vështira.

Ekip nga Shqipëria me 38 persona në Turqi

Qeveria e Shqipërisë vendosi t’i dalë në ndihmë popullit turk duke nisur drejt Türkiyes një ekip prej 38 personave, mes të cilëve specialistë të kërkim-shpëtimit, mjekë dhe infermierë, njoftoi kreu i emergjencave civile, Haki Çako.

Prej grupit të kërkim-shpëtimit, 26 janë forca të trajnuara dhe specialistë të emergjencave të tilla.

Çako tha se qeveria e Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e Emergjencave Civile, janë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët në Türkiye, për të bërë të mundur koordinimin për çfarëdo ndihme.

Bosnjë e Hercegovina dërgon ekipe shpëtimi

Ministri i Sigurisë i Bosnjë e Hercegovinës, Nenad Neshiq, tha se do të inicojë procedurë të shpejtë për dërgimin e një ekipi prej 50 personave nga mbrojtja civile.

Gjithashtu, Shërbimi Malor për Shpëtim i Bosnjë e Hercegovinës u shpreh i gatshëm të dërgojë skuadrat e saj në Türkiye.

Specialistë shpëtimi nga Serbia në Turqi

Ministria e Brendshme e Serbisë do të dërgojë 21 pjesëtarë të Sektorit për Situata të Jashtëzakonshme dhe 3 oficerë, konfirmoi qeveria serbe.

Ekipet e specialistëve udhëtojnë bashkë me pajisje për kërkim nën gërmadha, për ngritje të peshës, për punë në lartësi dhe pajisje të tjera.

Edhe Kroacia dërgon ekip shpëtimi

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq publikoi në Twitter se Kroacia do të dërgojë ekip shpëtimi prej 40 personave pas tërmetit shkatërrues që e goditi rajonin kufitar të Türkiyes me Sirinë.

Ai tha se solidarizohen me Türkiyen dhe do të përpiqen të ndihmojnë aq sa është e mundur.

Dhjetëra vende të tjera, sidomos ato gjeografikisht afër Türkiyes, kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në mënyra të ndryshme shtetin dhe popullin turk, në situatën e rëndë pas tërmeve shkatërruese që nga mëngjesi i 6 shkurtit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *