Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka takuar Drejtorin e Departamentit të Mbrojtjes për Evropë dhe Politikat e NATO-s, Andrew L. Winternitz.
Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Haradinaj ka kërkuar nga Winternitz që angazhimi i ShBA-ve në forcimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë i vazhdueshëm.
“Në takim shpreha falënderimet më të larta për djemtë dhe vajzat amerikane që shërbejnë në Kosovë. Kërkova nga z. Winternitz që angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë i vazhdueshëm”, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë i Haradinajt nga ShBA-të:
Vizita në Pentagon dhe takimi me Drejtorin Kryesor të Departamentit të Mbrojtjes për Evropë dhe Politikat e NATO-s, Andrew L. Winternitz ishte nder dhe i rëndësisë së veçantë.
Në takim shpreha falënderimet më të larta për djemtë dhe vajzat amerikane që shërbejnë në Kosovë. Kërkova nga z. Winternitz që angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë i vazhdueshëm.
Duke i falënderuar për mbështetjen e parezervë e cila rezultoi me formimin e Ushtrisë së Kosovës, potencova edhe njëherë se synim i Kosovës është që sa më shpejt të jemi anëtar i NATO-s, në rresht me shtetet prijëse të lirisë dhe demokracisë në botë.