Megjithëse, Gjykata e Apelit ua ka ulur atyre dënimin për tre muaj, familjarët e Gucatit dhe Haradinajt kanë thënë se tashmë janë mësuar me padrejtësitë e kësaj gjykate.
Pas vërtetimit të dënimit nga Gjykata e Apelit në Hagë, ka reaguar edhe bashkëshortja e Nasim Haradinajt, Gjejlone Haradinaj.
“Kur dihet burimi dhe në çfarë bazohet kjo gjykatë, Unë dhe Nasim Haradinaj, S’presim drejtësi. Si çdo herë krenar me ju”- Gjejlone Haradinaj.
Më 18 maj, Gjykata Themelore në Hagë, Gucatin e Haradinajn i kishte dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim, për publikimin dosjeve që kishin rrjedhur nga Gjykata Speciale, por këtë dënim ua ka ulur për tre muaj Gjykata e Apelit.
Për herë të dytë, e ka pritur aktgjykimin ndaj babait të tij, Hysni Gucati.
Por, për Musli Gucatin nuk ka qenë aspak befasi që edhe Gjykata e Apelit ta vërtetojë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë në Hagë, megjithëse ajo e ka ulur dënimin për tre muaj.
Ai thotë se që nga fillimi Gjykata Speciale në Hagë është dëshmuar si politike dhe se babai i tij, Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në burg.
Djali i Hysni Gucatit ka thënë se ai dhe pjesa tjetër e familjes ndihen të pikëlluar për padrejtësitë e kësaj gjykate.
Por, ka thënë se ata i bënë më të fortë krenaria që kanë për babanë e tyre dhe bashkëluftëtarët e tij, që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.