Kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë për takimin me Ambasadën Amerikane, por një të tillë e ka marrë shefi i stafit të tij, Luan Dalipi.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se “në takime, diskutime e ngjarje të ndryshme në të cilat merr pjesë kryeministrit, zakonisht atyre ju paraprijnë edhe ftesa e dedikuar dhe e personalizuar për kryeministrin”.
“Një ftesë të tillë nuk ka pasur në këtë rast. Për takimin në fjalë, ftesë ka pranuar Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë nesër”, ka thënë Kryeziu për TV1.
Ndërsa, kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, e ka deleguar shefin e stafit të tij, Ilir Kërçelin, që të merr pjesë në takimin me Ambasadën Amerikane ku do të diskutohet për Asociacionin.
Nga Ambasada kanë bërë të ditur se po thirrin një takim me ekspontentë nga sfera politike në Kosovë, liderë e përfaqësues nga shoqëria cilvile që të diskutohet për një “çështje me rëndësi”, pra themelimin e Asociacionit.
Përfaqësues në këtë takim të thirrur nga Ambasadori Jeff Hovenier, e ku do të diskutohet rreth krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, do të ketë edhe nga Presidenca e Kosovës.
Ndërsa, pjesë e këtij takimi nuk do jetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Vetë ky i fundit ka treguar se nuk ka marrë një ftesë të tillë nga amerikanët. “Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë”, njoftoi shefi i ekzekutivit javën që shkoi.
Por për dallim nga i pari i Qeverisë, dy zëvendësit e tij janë ftuar në këtë takim. Emilja Rexhepi e ka konfirmuar pjesëmarrjen, derisa edhe Besnik Bislimi pritet të jetë aty, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar për të.
Po ashtu, se do të shkojë në këtë takimin në Dragodan, ka njoftuar edhe Ministri serb i Qeverisë Kurti, Nenad Rashiq.
Pjesë e këtij takimi të thirrur nga Ambasada amerikane në Prishtinë do të jenë edhe partitë opozitare. PDK, LDK e AAK i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve për diskutim, përkundër se themelim i Asociacionit vlerësohet nga to si kompetencë dhe përgjegjësi e Qeverisë. Po ashtu, të pranishëm nesër janë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile dhe ekspertë tjerë.