Avokati i Aurona Pelajt: Fola në telefon me të, është n’shpi, nuk ka ikur

Gjatë ditës së premte u raportua se Aurona Pelaj, e dyshuara për sulmin fizik ndaj gruas 70- vjeçare, Minire Nura, në shtëpinë e të moshuarve “Orenda”, ka ikur për në Gjermani. Këtë informatë e ka dhënë pala mbrojtëse e të moshuarës, por ky lajm nuk po del të jetë i vërtetë. Të paktën, nga deklarata e avokatit të Aurona Pelajt konfirmohet për Nacionalen se ajo gjendet në Kosovë, saktësisht në familjen e saj.

Avokati i Pelajt, Veton Berisha, i tha Nacionales se avokati i 70-vjeçares ka dhënë deklaratë të pavërtetë për këtë punë, duke konfirmuar se Aurona gjendet në shtëpinë e saj.

Jo, ajo gjendet në shtëpi të saj. Ajo normal është e lirë, mundet me shku gjithkah, por nuk ka ikë. Nuk e ka në mend me ikë, s’ka arsye me ikë. Është në shtëpi të sajën. Nuk qëndron deklarata e tij (e avokatit të 70-vjeçares), është e pavërtetë”- tha avokati për Nacionalen.

Ndërkohë ai sqaroi se pas deklaratës së kolegut të tij për arratisjen e mundshme të Pelajt, ai menjëherë e ka kontaktuar klienten e tij, Auronën.

“Pas deklaratës së avokatit, jam dëgjuar me Auronën, me familjarët e saj. Ajo është në shtëpi të saj”- tha ai.

Pyetur për gjendjen shëndetësore e emocionale të Pelajt, avokati thotë se është e ndikuar emocionalisht nga ajo që ka ndodhë.

“Normal që nuk është mirë pas asaj që ka ndodhë,”- tha për Nacionalen avokati i Aurona Pelajt.

E klientja e tij më 25 nëntor ishte liruar nga paraburgimi duke u mbrojtur kështu në liri.

Dy muaj pas lirimit të saj, Meshari Selimaj avokati i Minire Nurës, gruas 70-vjeçare që shihet në videon e publikuar në media duke u sulmuar nga disa persona- në mesin e tyre shihet edhe Aurona Pelaj, ka thënë se kjo e fundit besohet se ka lëshuar Kosovën.

Në një intervistë për Euroneës Albania të premten, Selimaj, theksoi se prokuroria ende nuk ka ngritur një aktakuzë ndaj saj.

“Me informacionet që kam Aurona Pelaj, mund të gjendet në Gjermani. Kështu po përflitet këto ditët e fundit. Prokuroria ende nuk i ka kryet hetimet. Prokuroria ende nuk e ka ngritur aktin-akuzues në gjykatë dhe gjykata ende nuk e ka mundësinë që ta ftojë Pelajn. Duhet të paraqitet me thirrjet, dhe nëse nuk paraqitet merren masat për lëshimin e urdhër arrestit”, ka thënë avokati Selimaj sot.

Kujtojmë se Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur t’ua ndërpresë paraburgimin tri infermiereve të arrestuara në lidhje me sulmin fizik ndaj të moshuares, në një shtëpi kujdesi në Pejë, në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *