Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

I pandehuri Dardan Krivaqa, i cili akuzohet për vrasjen e 18-vjeçares, M.O, është sjellë para Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu, e cila po mbahet të martën e 24 janarit, tashmë ka filluar.

Në këtë seancë do të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër, i cili është propozuar nga mbrojtja e Dardan Krivaqës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën, Marigona Osmanin.

Në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Ndërsa, thuhet se i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Me çka akuzohet se kreu veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur, të shpallen fajtorë për veprat penale, për të cilat, akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën e 28 qershorit, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *