Që nga fillimi i marsit, terapia e imunoglobulinës humane që përdoret për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga mungesa e antitrupave në gjak, mungon në Barnatoren Qendrore të QKUK-së, shkruan Gazeta Neutral.
Burimet e Gazetës Neutral bëjnë të ditur se pacientët janë detyruar ta sigurojnë vetë këtë terapi të Listës Esenciale, me një çmim deri në 1200 euro për një dozë e cila përmban 10 gram.
Kjo terapi, që prodhohet nga qelizat e gjakut, ndihmon trupin që të luftojë infeksionet dhe sëmundjet që shkaktohen nga mungesa e antitrupave në gjak.
Për furnizimin e QKUK-së me imunoglobulinë është ngarkuar operatori ekonomik “NTSH REDONI HM”.
Gazeta Neutral ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në SHSKUK për këtë problem. Deri në publikimin e artikullit, asnjëri institucion nuk ka kthyer përgjigje.