Pas shumë reagimeve në Kosovë, Gjykata Speciale është tërhequr. Trupi gjykues në rastin e Thaçit dhe të tjerëve ka vendosur ta shtyjë seancën ndaj krerëve të UÇK-së, që dje u caktua për 17 shkurt. Pikërisht në përvejtorin e 15-të të pavarësisë së Kosovës.
Lajmin për gazetën Nacionale e ka konfirmuar zyra për media e Gjykatës Speciale.
“Trupi gjykues II, pas konsultimeve të mëtejshme me palët dhe pjesëmarrësit, ndryshoi urdhrin e tij të mëparshëm (me gojë) dhe caktoi Konferencën Përgatitore të Prokurorit të Specializuar në rastin e Thaçit për 15 shkurt 2023 në ora 09:30”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër dje kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, e caktoi 17 shkurtin si datë për seancën e radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
“Konferenca përgatitore e Prokurorisë së Specializuar do të mbahet më 17 shkurt. Gjykimi të fillojë më 21 mars, nëse nuk ka rrethana përjashtimore”, tha Smith.
Pikërisht dje u vendos që gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së të fillpjë më 21 mars.
Shumë reagime në Kosovë
Për caktimin e seancës pikërisht në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, pati shumë reagime në Kosovë.
I pari ishte kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, i cili paralajmëroi edhe protesta.
“Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht që nga themelimi i saj, është vërtetuar se Gjykata Speciale është gjykatë politike, që nuk sjell drejtësi e nuk ndjek krime, por vetëm i ndjek shqiptarët dhe atë me akuza, shpifje dhe dokumentacione të Serbisë pushtuese. Në ditën e pavarësisë, më 17 shkurt, kjo pseudogjykatë e Kosovës mban seancë ndaj krerëve të UÇK-së, e ne do të mbajmë protestë kundër saj”, ka shkruar Klinaku.
Reagim ka pasur edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.
“Dita e gjykimit të historisë dhe përpjekja jonë çlirimtare po përputhet ironikisht edhe me kalendarin e Gjykatës Speciale. Bash ditë gjykimi, për ata që mbahen peng dhe për ne si shoqëri që deshëm çlirimin. Kjo gjykatë nuk e njeh historinë e Kosovës. Është indiferente ndaj saj. 17 shkurti për këtë trupë gjykuese është veç një ditë tjetër pune, jo etike në karrierën e tyre personale. Ndërsa ata që po gjykohen politikisht dhe padrejtësisht ishin luftëtarët e vyer të çlirimit që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Molliqaj.