Kryeministri Albin Kurti, dje bëri bujë duke e përkujtuar me fjalë të zgjedhura politikanin e vrarë serb Oliver Ivanoviq. Por, partisë së tij i doli një komunikatë në të cilën… denonconte ashpër Ivanoviqin. Nacionale ka gjetur edhe tri komunikata tjera ku bëhet po e njëjta gjë.
Kurti ka përkujtuar Ivanoviqin me rastin e përvjetorit të pestë të vrasjes së tij. Por, fjalët e Kurtit do të ishin veçanërisht të dhimbshme marrë parasysh atë që kishte thënë më parë partia e tij.
Çka tha Kurti?
“Oliver Ivanoviqi ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord.” – ishin disa prej elozheve që i thuri kryeministri për politikanin e vrarë.
Përveç kësaj, ai tha se do të dëshironte që kujtimi për Oliverin të mbahej gjallë si një njeri që punoi për Kosovën shumë etnike.
Çka thoshte VV-ja?
Vetëvendosje në mënyrë direkte akuzonte Ivanoviqin për vrasjen e 10 qytetarëve në veri të vendit, jo më larg se më 4 shkurt të vitit 2016.
“Ata u vranë nga grupi kriminal serb “Rojet e Urës” të udhëhequr nga Oliver Ivanoviq dhe Dragan Delibashiq.” – thoshte kjo parti politike.
Të ashpër ishin edhe disa ditë më herët të atij viti, më 21 janar 2016, kur e kontestonin vendimin për dënimin me vetëm 9 vjet burg për Ivanoviqin. Një gjë të tillë e quanin “poshtërim për drejtësinë”.
Por, kjo parti politike e denonconte Ivanoviqin edhe më vonë, në vitin 2019, në komunikatën e titulluar “Përkitazi me përvjetorin e masakrës së 3 dhe 4 shkrutit në Mitrovicë”.
Edhe aty akuzohej Oliver Ivanoviq se më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 kishin zbatuar vrasjen e 10 shqiptarëve.
“…Oliver Ivanoviq, politikan serb i dënuar me 9 vite burg për vrasje shqiparësh në Mitrovicë. I dënuar nga drejtësia gjysmake e EULEX-it për diçka që për pak sa se pranon me gojën e vet, por për çudinë e botës, i përkujtuar me një minutë heshtje nga qeveria e Kosovës…” – thotë mes tjerash kjo komunikatë.
Më poshtë në këtë komunikatë denoncohet ndarja e Mitrovicës, varfërimi i saj dhe ideja e korrigjimit të kufijve.
Por, edhe më herët, në vitin 2010, Vetëvendosje do të tregohej konsistente në qëndrimet e saj. Në komunikatën “Thellimi i ndarjes” Ivanoviqi përmendet pesë herë, dhe të pesë herët në kontekst negativ.
“Oliver Ivanoviq fort u pat integruar dikur në institucionet e Kosovës, por të gjithë e shohim se ku është ai sot…”
Aty akuzohej Kosova se kishte investuar në Oliver Ivanoviqin si politikan… derisa e merrte si të kryer se ky investim ishte kthyer në të keq të Kosovës.
Ndërkohë, në komunikatën e titulluar Mitrovica ndodheshin akuzat më të rënda dhe fjalori më i ashpër.
“Ajo çfarë do të ndodhte më pas, u paralajmërua nga Oliver Ivanoviqi, kah mesi i muajit janar i vitit 2000, duke iu drejtuar serbëve me fjalët: “Do ta pastrojmë Mitrovicën e veriut nga shqiptarët për ju!” – tregon Halit Berani nga KMDLNJ-ja në Mitrovicë.
Aty tregonte se Ivanoviq i kishte prirë organizimit kriminal që kishte çuar në vrasjen e dhjetë personave.
“…ekzekutuesit e gjithë këtij operacioni të spastrimit etnik të shqiptarëve nga veriu i lumit Ibër janë Oliver Ivanoviq, Dragan Delibashiq…” – thoshte më poshtë kjo komunikatë.
Kujtojmë se Vetëvendosje kishte fshirë edhe shumë komunikata tjera gjatë fushatës zgjedhore më 2021.