Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në qytetin e Ferizajt, ku dy policë janë goditur me veturë nga një person, i cili nuk zbatoi urdhrat e Policisë për t’u ndalur.
Sinjali mëson se derisa njësia policore po patrullonte, i ka dhënë shenjë të dyshuarit që ta ndalej për kontroll, por i njëjti i ka shpërfillur urdhrat dhe ka ikur – duke shkaktuar aksident trafiku.
Kjo ka bërë që Policia të vihet në ndjekje të tij, por nuk kanë arritur ta kapin. Pas kontrolleve që kanë kryer, në afërsi të një fshati, është gjetur vetura, të cilën shoferi e ka braktisur.
Zyrtarët policorë kanë kryer kontrollet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ndërkohë që lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.
Me vendim të tij, kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për identifikimin e të dyshuarit.