Dua Lipa rrugës për t’u bërë miliardere

Këngëtarja me famë botërore e rrënjë nga Kosova, Dua Lipa, është rrugës për t’u bërë miliardere, për shkak të një ndryshimi të madh në karrierë, ka shkruar “The Sun” të martën mbrëma. 28-vjeçarja ka ndarë rrugët me kompaninë e deritashme të menaxhimit.

Ylli i “Don’t Start Now” ka vendosur që edhe në karrierë të bashkëveprojë me babanë e saj, Dukagjinin, që ka siguruar të drejtat e publikimit të projekteve të saj.

Dyshja ka krijuar një kompani të quajtur “Radical 22 Publishing Limited” për të ndihmuar në menaxhim të karrierës së Lipës, vetëm pak ditë pasi Dua njoftoi se ka shkëputur raportet me kompaninë menaxhuese “TaP”.

“Dua donte të merrte nën kontroll karrierën e saj dhe Dugi është i vendosur. Ai ka menduar se ajo po jepte përqindje të mëdha të fitimeve dhe pasi u bë menaxheri i saj më herët, vendosi që si hap i ardhshëm logjik të bëhej partner biznesi”, ka thënë një burim për “The Sun”.

Sipas raportimeve, Dukagjini tani e ka prioritet kryesor karrierën dhe suksesin e së bijës.

“Lëvizja vjen sikur ajo e Taylor Swiftit – një superyll që rishkruan narrativë dhe bën para vetë”, ka thënë burimi. “Deri në moshën 40-vjeçare, Dua mund të bëhet miliardere”.

Dua Lipa u përmend këtë javë krahas Harry Stylesit dhe Ed Sheeranit, si yjet britanike që bashkë kanë kontribuar në eksportin muzikor të Mbretërisë së Bashkuar, në vlerë prej mbi 4 miliardë dollarësh më 2022. Përderisa marrëveshja e mëhershme e saj me “TaP” ia siguronte 20 për qind të të hyrave, tani me ndihmën e babait ajo synon t’i rrisë përfitimet.

Javën e shkuar u bë e ditur se “TaP” ka shitur të drejtat e autorit të artistes dhe i ka uruar fat në të ardhmen Duas. Këngëtarja pati nënshkruar marrëveshje me këtë kompani më 2013, kur arriti marrëveshjen me zyrtarin Ben Mawson që e kishte vënë re talentin e saj në një lokal në Londër. Nga shkurti i 2022-s babanë e kishte menaxher.

Siç shkruajnë mediumet britanike, Dua Lipa do të rikthehet në top-listat botërore me “Houdini”, që pritet të lansohet të enjten.

Siç raportohej më herët gjatë vitit, Lipa ka pasuri neto prej rreth 35 milionë dollarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *