Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur më 13 mars se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit.
Ky kontest pronësor, që thuhet se qëndron mes Kosovës dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ka nxitur mosmarrëveshje të shumta ndër vite.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për Gazetën Neutral ka komentuar vendimin e Kurtit.
Abdixhiku, thotë se vendimi i Kushtetueses nuk duhet kontestuar, por, që u shpreh kritik nga Kurtit, pasi thotë se ka ardhur në pushtet përmes kundërshtimit të “faljes” së 24 hektarëve tokë të Manastirit.
“…24 hektarë të cilët kanë qenë dhuratë e Milosheviqit për Manastirin e Deçanit.”, thoshte Kurti në një video-adresim vite më parë.
Abdixhiku, u shpreh se Kurti “ka mashtruar” qytetarët me vendimin e fundit.
“Vendimet dhe opinionet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim; ato nuk mund të kontestohen. Por ndërtimit të kauzave të rrejshme me qëllim ardhjen në pushtet, i thonë mashtrim”, u shpreh Abdixhiku për Gazeta Neutral.
Kreu i LDK-së, u shpreh qytetarët kanë rënë në lajthitje nga premtimet e kryetarit të VV-së, për të cilin shton se “perdja e të cilit ra”.
“Fatkeqësisht, populli i Kosovës ka qenë subjekt i mashtrimit popullist, perdja e te cilit ra – edhe nje here – lehtesisht. Ky mashtrim dikur nxiste përplasje, përçarje e tension kombëtar, duke mbajtur peng jo vetëm fatin tonë euroatlantik por dhe duke treguar papërgjegjësi nacionale”, thotë ai.
“Kauzat e rrejshme mbesin gjithnjë të dëmshme. Siç është e dëmshme dhe kjo qeverisje pa rezultate, pa parime, përplot propagande e mashtrim! Herët apo vonë, qytetarët do ta kuptojnë se janë mashtruar në çdo qëndrim! Le të përpiqemi sa më herët para se të bëhet vonë”, përfundoi Abdixhiku për Gazetën Neutral.