Pas publikimit të pamjeve ku shihej një person duke dëmtuar ulëset në fushën e sportit në Shkollën Fillore “Ernest Koliqi” në fshatin Gadime e Ulët në Lipjan, Policia është aktivizuar dhe ka arrestuar personin e dyshuar. I njëjti ka përfunduar në ndalim policor.
Siç mëson Sinjali bëhet fjalë për A.Krenzi, 23-vjeçar, i cili është arrestuar të premten pasdite.
I riu është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku e ka pranuar veprën që ka kryer dhe ka deklaruar se e ka bërë në bashkëveprim me disa persona të tjerë, të mitur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Ndryshe, rasti u bë i ditur dje nga Komuna e Lipjanit, që publikoi edhe pamje.