Moment padyshim negativ për Neymar. Sulmuesi brazilian, i cili do të duhet të pushojë gjatë pas operacionit në gju, që iu nënshtrua disa ditë më parë, tashmë akuzohet nga një 35-vjeçare braziliane se e ka shfrytëzuar për gati dy vite.
Siç raportohet nga “Le Parisien”, gruaja ka punuar në shtëpinë e futbollistit midis janarit 2021 dhe tetorit 2022 pa kontratë të rregullt pune dhe në kushte ekstreme: 7 ditë në javë, pagesa në dorë, puna jashtë orarit e papaguar, pa pushime, pa mbështetje mjekësore, pavarësisht se ishte shtatzënë.
Madje, ajo pohoi se ishte e detyruar të punonte deri dy javë para lindjes. Në mënyrë të veçantë, ajo duhej të kujdesej për pastrimin e shtëpisë së sulmuesit brazilian, si dhe mirëqenien e partneres së tij (në praktikë duke kryer edhe detyra si estetiste). Pra, ka punuar afërsisht 20 orë më shumë se sa kërkon ligji për shërbëtoret në Francë. Për këtë arsye ajo i kërkon Neymar dëmshpërblim prej 368 mijë eurosh, madje kërcënon se do ta çojë çështjen në gjykatë.
Pas lindjes, tetorin e kaluar, ajo nuk kishte më asnjë kontakt me lojtarin dhe askënd rreth tij, ndaj iu desh të drejtohej në organizata të ndryshme bamirësie për të ushqyer fëmijët e saj.
Mediat raportuan veçanërisht deklaratat e avokatëve të gruas, të cilët u përpoqën të gjenin një marrëveshje miqësore, por nuk morën përgjigje:
“Neymar shfrytëzoi situatën e pasigurt të klientes tonë për t’i imponuar kushte të padenja pune, në kundërshtim me normat themelore të ligjit të punës. Jemi të dëshpëruar që një personalitet i tillë ka mundur të tregojë një sjellje të tillë çnjerëzore, madje ka arritur deri aty sa e ka nxjerrë nga shtëpia klienten tonë disa ditë para lindjes së parakohshme, ndërkohë që ajo ankohej për dhimbje. Tani po vlerësojmë të gjitha veprimet e nevojshme”.