Kurti: Vitin 2022 u shkatërruan 5 laboratorë droge në veri, e u arrestuan 301 zyrtarë publikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Facebook ka përmendur se çfarë ka bërë Qeveria gjatë vitit 2022 në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

Në mesin e sukseseve Kurti ka rreshtuar arrestimin e 301 zyrtarëve publikë, shkatërrimin e 69 grupeve kriminale, e po ashtu shkatërrimin e 5 laboratorëve të drogës në veri, e tre laboratorëve të prodhimit të kriptovalutave.

Ai ka thënë po ashtu se gjatë vitit 2022 janë ndërtuar 4 objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës.

“Gjatë vitit që lamë pas, kemi vazhduar me zbatimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës: U realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës; U arrestuan 3202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publikë; Mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri të vendit; Shkatërruam 69 grupe kriminale; U konfiskuan mbi 1.8 ton substanca narkotike; Shkatërruam 5 laboratore të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratore për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri; Mbi 14 milionë euro janë ngrirë nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave; Janë sekuestruar mbi 300 mijë litra karburante që s’ishin konform me aktet nënligjore; Ndërtuam 4 objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës si dhe bëmë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë të vendit tonë, duke mundësuar shtrirjen e valëve telefonike, rrjetit të internetit dhe komunikimit me radiolidhje; Krijuam Njësitin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili angazhohet në luftimin e kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe keqpërdorimeve të tjera përgjatë vijës kufitare”, ka shkruar Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *