Me fjalët “a po bën hajgare?”, iu drejtua Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gazetarit të “Sky News” ditë më parë kur ky i dyti e pyeti se “a do t’ia dorëzoni Radojçiqin Kosovës?”. Vuçiq, për të dytën herë i tha “a po bën përnjëmend hajgare?” duke shtuar se nuk mund të dorëzojë Radojiçiqin për t’u gjykuar në Kosovë ngase Serbia nuk e njeh Kosovën për shtet të pavarur dhe sovran. Por, këtë “hajgare” nuk po ia njeh as Bashkimi Evropiane, kur hiç më larg se sot zëdhënësi Peter Stano, tha se “ajo çka ndodhi më 24 shtator është diçka aq serioze sa që duhet të sqarohet në tërësi sepse do të ketë pasoja”.
Për më tepër këtë “mosnjohje” të Serbisë, Bashkimi Evropian nuk e njeh për arsye për të mos shkuar deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjeve në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, për çka Peter Stano tha se “askush nuk duhet të fshihet prapa formaliteteve si njohja e palës tjetër apo mosnjohja”.
“Pritjet tona nga Serbia janë jo vetëm që të ketë nga ajo bashkëpunim të plotë, por të ketë bashkëpunim pa kushte. Nëse ka vullnet, ka edhe rrugë dhe askush nuk duhet të fshihet prapa formaliteteve si njohja e palës tjetër apo mosnjohja. Ka shumë rrugë se si mund t’i shkëmbeni evidencat, si mund të bashkëpunoni dhe si mund të kontribuoni plotësisht në hetime”, ka thënë Stano, përcjell Nacionale.
“Ajo që ndodhi më 24 shtator është diçka aq serioze sa që duhet të sqarohet në tërësi, sepse do të ketë pasoja. Nuk dua të hyj në komente individuale në këtë fazë të hetimeve, sa njerëz ishin përfshirë e sa jo. Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Është shprehur para palëve disa herë e ai është se presim bashkëpunim nga Serbia dhe nga cilado palë që mund të kontribuojë që sa më shpejt të sqarohet ajo që ndodhi, pse ndodhi, kush mori pjesë dhe kush e orkestroi atë. Dhe, në bazë të kësaj, BE-ja do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm ndaj Serbisë, ndaj Kosovës, ndaj dialogut dhe ndaj rajonit”, ka thënë ai, siç e citoi Radio Evropa e Lirë.
Për Kurtin, përfshirja e Serbisë “është e padiskutueshme”
“Edhe për ata që s’duan as të shohin as të dëgjojnë, përgjegjësia e Serbisë është e padiskutueshme”.
Kështu e konkludoi përgjigjen e tij, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për median malaziase “Pobjeda”, pyetur nga intervistuesi se a beson që tash Perëndimi do ta lë Vuçiqin “ta gëlltisë këtë lojë” edhe pas tërë ngjarjeve në Banjskë të Zveçanit, dhe përfshirjes së aleatit të ngushtë të presidentit serb, Milamn Radojiçiq.
Për Kurtin, përfshirja e Serbisë në agresionin ndaj Kosovës s’do më shumë diskutim dhe se ajo është e vendosur dhe faktet janë në pah – e madje edhe për ata “që nuk duan të shohin e të dëgjojnë”.
Gjer më tash, për aq sa është thënë në media – kryesisht në ato serbe – janë mëse 8 vende të unionin njëzet e shtatë shtetesh evropian që kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë; më së hapuri Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Ky i fundit ishte më toniku në denoncimin e Beogradit, për të cilët tha se shpallja e ditëve të zisë në Beograd për sulmuesit terroristë “nuk lë më hapësirë tjetër interpretimi se e miratojnë sulmin”. Këto komente Plenkoviq i bëri edhe gojarisht nga Zagrebi në një konferencë për media me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ditë më parë njoftoi se masant ndëshkuese (ndonëse nuk tha sanksione) ndaj Serbisë “tashmë veçse janë hartuar” dhe se “e tëra është në duart e Vuçiqit” nëse do të zbatohen ose jo; varësisht sa bashkëpunues do të jenë autoritetet serbe në zbardhjen përfundimtare të sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit.
“Nuk do t’ua thoja emrin sanksione, sepse duhet të aprovohen nga Këshilli Evropian, siç nuk ishte rasti për Kosovën as për Serbinë. Ne flasim për masa, masa politike dhe financiare, për kufizim të qasjes në fondet e IPA-s që sigurisht se do të dëmtonin qeverinë serbe. Nëse një shtet kryen sulm terrorist ndaj një vendi fqinj është vështirë ta marrës me mend që ky shtet të bëhet anëtare e BE-së.” – ka thënë ajo.