Rrëfehet e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, kërkon drejtësi

Teksa në Hagë po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, drejtësia ndërkombëtare ende nuk e ka thënë fjalën e saj për një prej krimeve serbe të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë e që ka të bëjë me dhunimet seksuale.

Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, ka rrëfyer dëshminë që ka dhënë në rastin e saj e ku është dënuar një person. Ajo bën thirrje për të gjithë të mbijetuarit të kërkojnë drejtësi për krimet e kryera nga forcat ushtarake e paramilitare serbe.

Pas luftës si ka qenë qasja juaj për të kërkuar drejtësi, mbështetjen e kujt e ke pasur?

Po, mbështetjen e kam pasur, fillimisht, nga bashkëshorti  dhe familja e ngushtë e bashkëshortit tim. Drejtësi kam kërkuar por nuk kam gjetur , kam kërkuar drejtësi menjëherë pas luftës në UNMIK, në 2010-ën, në EULEX, mirëpo ajo dëshmia ime asnjëherë, kurrë nuk u gjet. Duke mos u ndalur asnjëherë , duke e njohur edhe personin, i cili e ka kryer aktin, atëherë asnjëherë s’kam qenë e qetë, por asnjëherë s’jam dorëzuar, asnjëherë s’jam ndalur , gjithmonë duke pasur përkrahjen e bashkëshortit tim.

Pas shumë viteve, ju keni gjetur drejtësi, në fakt institucionet e kanë marrë seriozisht rastin tuaj, a mund të na thoni sa jeni ndarë e kënaqur në gjithë procesin?

Jo edhe aq shumë, se një dënim të cilin ai e ka marrë për mua, nuk mjafton, absolut, por sido që të jetë, e ndiej veten pak më të qetë dhe e kam një çlirim, se çdoherë më ka brengosur ajo: pse s’po gjej drejtësi, duke mos u ndalur asnjëherë. Kur kuptova se aktori, i cili e ka bërë krimin, është prapa grilave, atëherë  kam vendosur fuqishëm të mos ndalem asnjëherë, derisa të gjejë drejtësinë për vete, gjithmonë duke e cekur, duke e njohur aktorin e krimit.

Cili do të ishte mesazhi i juaj për të gjithë ata, të cilët, në fakt, ende hezitojnë dhe ende nuk janë të gatshëm për të trokitur tek institucionet e drejtësisë?

Unë kisha dhënë një mesazh për të gjitha nënat, motrat edhe vëllezërit tanë, se kemi edhe meshkuj, që asnjëherë të mos ndalen duke kërkuar drejtësi, po më e pakta se çka mundet ajo, së paku, ta kemi një dëshmi para botës se ka ndodhur krimi, atëherë, pse ta fshehim krimin ne, kurse krimi ka ndodhur. E di, në fakt , ndoshta shumica s’e kanë atë guximin, s`e kanë atë përkrahjen. Kam plot raste, kam raste edhe familjare, që nuk e kanë përkrahjen e familjes, mirëpo është shteti, të mbron shteti. Sot kemi shtet, me mbrojtjen e shtetit ta dëshmojmë se krimi ka ndodhur. Unë ju kisha thënë të gjithave dhe çdo ditë e kërkoj nga të gjitha nënat, motrat, vëllezërit tanë që ta japin dëshminë e vet, e cila ka ndodhur, jo që kemi dashur ne, ka dashur okupatori, ka dashur të na shkatërrojë, ka dashur të na lë plagë në zemër tërë jetën, mirëpo unë këtë e kisha kërkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *