Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka mohuar të jetë prononcuar në një shkrim të mediumit “The Jerusalem Post”, ku pretendohet se ajo vizitoi Izraelin për të dënuar mizoritë e kryera nga Hamasi dhe për të shprehur solidaritetin me viktimat izraelite.
Krasniqi-Goodman shkroi në Twitter për të sqaruar se deklarata ishte tërësisht e sajuar.
“Kjo është krejtësisht një deklaratë e sajuar. Unë kurrë nuk fola me Jerusalem Post dhe nuk e thashë kurrë!” – tha ajo.
Në artikullin e mediumit thuhej se “Aktivistja e Kosovës për ndërgjegjësimin e sulmeve seksuale viziton Izraelin në solidaritet me viktimat e krimeve të Hamasit”. Në artikull ekzistojnë një sërë prononcimesh të sajuara që i atribuohen zonjës Krasniqi-Goodman.