Prokuroria jep detaje për vdekjen e 30-vjeçares në Prishtinë

Gazeta Sinjali pak më parë ka raportuar për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur sot në rrugën ‘Ferat Dragaj’ në Prishtinë, ku një grua është gjetur pa shenja jete në afërsi të një objekti.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se rasti i gruas ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta.

“Ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ndodhet në vendin e ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Është gjetur një trup pa shenja jete (femër). Sipas infomatave fillestare nga vendi i ngjarjes rasti ka të bëjë me vdekje në rrethana të dyshimta, mirëpo Prokuroria në koordinim me të gjitha institucionet relevante janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore per t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti. Pas ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes, trupi i pajetë do të dërgohet në IML për obduksion”, tha Ulaj për Sinjalin.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se viktima u gjet e vdekur në afërsi të një objekti në rrugën ‘Ferat Dragaj’.

Në vendin e ngjarjes ndodhen njësitë relevante, me ç’rast mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

“Rreth orës 13:00, kemi pranuar informatën për një person të lënduar, ) të shtrirë në afërsi të një objekti në  rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë”. Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit (femër). Aktualisht policia  po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti.

Lidhur me ngjarjen e rëndë për Gazetën Sinjali ka folur shefi i Urgjencës, Avdyl Pacolli, i cili ka dhënë detaje se si është gjetur viktima.

Pacolli ka deklaruar se bëhet fjalë për një grua të moshës 25-30 vjeç, e cila u gjet në korridorin e katit të dytë të banesës dhe ajo ishte e gjitha e mbuluar në gjak.

Sipas tij, nuk janë gjetur plagë të cilat mund t’i jenë shkaktuar nga plumbi.

“Bëhet fjalë për një person të gjinisë femërore, diku 25-30 vjeçare. Në momentin kur ekipa ka shku e ka gjetur atë pa shenja jete. E ka gjetur në holl të banesës. Në holl të katit të dytë, të banesës. Ekipa mjekësore me të konstatuar vdekjen e ka thirrë shërbimin policor. Gjakderdhje ka pasur, por që plumb diçka nuk më thanë ekipa. Protezat jashtë gojës, po masa gjaku po”, ka thënë Pacolli për Sinjalin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *