Lulzim Fejzullahu, 18-vjeçar nga Podujeva, ka vdekur dje në QKUK pasi u rrah brutalisht në qytetin e tij disa ditë më parë.
Për këtë janë arrestuar dy të mitur të cilët dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Për ngjarjen tragjike ka rrëfyer axha i Lulzimit, i cili tha se nipi i tij u ndoq e u shtyp me veturë e më pas u rrah me shkopinj bejsbolli.
Ai tha se nipi i tij ishte jetim pa të dy prindërit.
“Unë nuk e di [sulmuesit] a kanë qenë moshatarë të tij apo jo. Së pari e kanë ndjekë me kerr, e kanë shkelë me kerr, e kanë shtyp, e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrëzuar Lulzimin, i kanë hip stupca bejsbolli, derisa sot në ora 15:20 ndërroi edhe jetë”, ka thënë ai për Raporto24.
Ai tha se sherri nisi te një rrojtore e qytetit.
“Aty i kanë shty fjalët. Jo s’po rruhesh para meje, jo kush je ti, jo kush jam unë. Këtu ka ndodhë shkaku. Djali ka dalë, e ka marrë jaknen, me shku prej shpie. Në derë kah dalin janë rrok me krahë. Si shqiptarët qysh e kanë zakon pse me shtyve, pse të shtyva. Ai i ka lonë me u rrue, por këta e kanë përcjellë me kerr, videot i ka policia”, ka bërë të ditur axha i viktimës”.
Fejzullahu tha se tash rasti është në dorë të organeve të rendit, por ai kërkoi “drejtësi maksimale” për nipin e tij.