Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se konflikti mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Gaza, shfaq “dështimin” e politikës së Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për krijimin e “një shteti sovran palestinez” që tha se është gjë “e domosdoshme”.
Lideri rus i bëri këto komente gjatë takimit me kryeministrin irakian, Mohammed Shia al-Sudani, në Moskë, disa ditë pasi Hamasi nisi një sulm masiv në Izrael.
“Mendoj se shumë njerëz do të pajtoheshin me mua se ky është një shembull i qartë i dështimit të politikës amerikane në Lindjen e Mesme”, tha Putin.
Ai foli për “nevojën e zbatimit të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez”.
Putin tha se SHBA-ja “ka tentuar të monopolizojë zgjidhjen e konfliktit, por fatkeqësisht ata nuk ishin të preokupuar në gjetjen e kompromiseve që do të ishin të pranueshme për të dyja palët”.