Kilaj del sot para gjykatës, brenda 48 orësh pas paraqitjes vendos Specialja se a do të mbahet në paraburgim apo lirohet

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar për sot paraqitjen e parë të ish-kryetarit të Malishevës Isni Kilajt, në orën 10:00.

“Paraqitja e parë do të jetë seancë publike, gjatë të cilës gjykatësi i vetëm siguron që Isni Kilaj është informuar për arsyet e arrestimit të tij dhe se po respektohen të drejtat e tij sipas Ligjit dhe Rregullores, ndër të cilat e drejta për përfaqësim juridik”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Kilaj është transferuar dje në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Urdhri për arrestimin e Isni Kilajt u lëshua nga Prokurorja e Specializuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare sipas Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu arrestimin me mbështetjen e policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Sipas Ligjit, policia në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë për të ushtruar kompetencat që i janë dhënë policisë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *