Rakiq pas lirimit të serbëve: Fola me Vuçiqin, tha se do të ishte mirë të hiqen barrikadat

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova kanë biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe se prej tij kanë dëgjuar lajmin për lirimin e serbëve të arrestuar, si dhe mendimin e tij se do të ishte mirë të hiqeshin barrikadat.

“Pas këtij takimi do të bisedojmë me njerëzit tanë në Kosovë. Kemi marrë lajme të rëndësishme për lirimin e Pantiqit, Nedeljkoviqit dhe personave të tjerë të arrestuar. Kemi lexuar garancitë e BE-së dhe SHBA-së se nuk do të ketë arrestime të njerëzve, duuke marrë pjesë në protestat paqësore të shkaktuara nga terrori i Kurtit. Kemi marrë garanci të reja nga KFOR-i se nuk do të ketë dislokim të forcave të sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës”, tha ai.

Siç raporton Kosova online, Rakiq tha se presidenti i Serbisë mendon se është mirë që të hiqen barrikadat.

“Ne nuk kemi besim në qeverinë e Kurtit. Mund të them se nuk u besojmë as garancive ndërkombëtare. I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq të dëgjojë përfaqësuesit e popullit në barrikada. Ne do të vijmë tek ai me kërkesa të sakta. Ne i besojmë vetëm atij ”, shpjegoi Rakiq.

Ai ka thënë se serbët e dinë se Vuçiq po pëson shumë presion, por ata që marrin pjesë drejtpërdrejt në protestë po i kërkojnë garanci, sepse vetëm atij i besojnë.

“Ne kemi kërkesa që do t’i përcjellim. President, ne vetëm ju besojmë, na duhen garancitë tuaja”, ka përfunduar Rakiq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *