Policia bastis spitalin në Mitrovicën e Veriut, reagon Lista Serbe

Në kuadër të kontrollit të pesë lokacioneve në tri komuna që me urdhër të gjykatës kompetente po kontrollohen nga Policia e Kosovës në praninë e prokurorit të rastit dhe EULEX-it, është bastisur edhe Qendra spitalore në Mitrovicën e Veriut.

Drejtori i kësaj qendre klinike Zllatan Ellek e quan këtë aksion të Policisë “një ndërhyrje të dhunshme të njësive speciale të Policisë së Kosovës”.

Ellek thotë se forcat speciale të Policisë së Kosovës janë ende në spital dhe po bëjnë bastisje, gjë që “po shkakton ankth te punonjësit por edhe te pacientët”.

“Janë duke kontrolluar lavanderinë dhe disa zyra në hyrje të spitalit, pa dijeninë e administratës së spitalit dhe menaxhmentit të spitalit, unë si drejtor kam vendosur kontakte me ta, na thanë se kanë një urdhër kontrolli nga Gjykata. Janë ende në rrethin e spitalit, ka një “shqetësim të madh” te pacientët dhe punonjësit”, ka thënë Ellek.

Për rastin ka reaguar edhe Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila ka thënë se njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë hyrë brutalisht në spitalin në Mitrovicë të Veriut dhe i ka akuzuar zyrtarët policorë për “brutalitet të tepruar”.

Në një komunikatë për media, kjo parti, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke i shfrytëzuar zhvillimet në Banjskë “për t’i justifikuar të gjitha aktivitetet antiserbe në Kosovë dhe Metohi, si dhe për të vazhduar keqtrajtimin e mëtejshëm të qytetarëve tanë”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se policia e ka dëmtuar derën hyrëse të spitalit dhe ka pretenduar se nga aksioni policor janë shqetësuar banorët e zonës.

Si, Lista Serbe, ashtu edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e kanë kritikuar, siç kanë thënë ata, mosreagimin e EULEX-it në aksionin policor.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar në Facebook se është duke zbatuar urdhrin e gjykatës kompetente për kontrolle në pesë lokacione në tri komuna në veri të Kosovës.

“Sot, me datën 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë.

Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim.

Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR.”, kanë shkruar nga Policia e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *