Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për heqjen e 11 barrikadave në veri, të cilat kanë pamundësuar lirinë e lëvizjes. Ai ka thënë se barrikadat do të hiqen brenda disa ditëve.
Në një intervistë për mediumin boshnjak istraga.ba, Kurti ka thënë se nëse KFOR-i nuk i heq barrikadat, veprimin do ta kryejë Policia e Kosovës.
“Nëse këtë nuk e bënë KFOR-i, do ta bëjmë ne. S’mund të zgjasin për muaj. As për javë, por vetëm disa ditë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se barrikadat janë episodi i dytë në veri, që vjen si urdhër nga Beogradi.
“Ne kemi policinë tonë në veri, e cila tani është më e pranishme se më parë. Por ne kemi edhe njëmbëdhjetë barrikada. Këto barrikada ishin episodi i dytë i episodit të parë, që ishte se serbët nga veriu morën urdhër nga Beogradi që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.
Duke folur për barrikadat, Kurti ka thënë se po përsëriten gabimet e viteve të ’90-a.
“Ata nuk janë krijues. Ata nuk dinë gjë tjetër veçse të përsërisin gabimet e viteve nëntëdhjetë kur ndërtuan barrikada në Bosnje dhe Kroaci. Pra, në një farë mënyre dinë vetëm të përsëriten. Unë mendoj se ata do të dështojnë”, ka thënë Kurti.