Sveçla: Barrikadat tashmë kanë humbur arsyen

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka thënë se barrikadat e vendosura në rrugët në veri të Kosovës nga serbët lokalë, tashmë e kanë humbur arsyen, raporton (AA).

Sveçla, i cili u bëri thirrje gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës dhe të mos bien pre e presioneve dhe shantazheve të Beogradit, tha se i vetmi qëllim i barrikadave është bllokimi i veprimeve ligjore të Kosovës.

“Barrikadat tashmë kanë humbur arsyen me të cilën ata i patën ngritur, arsye të cilat në asnjë moment nuk kanë qëndruar. I vetmi qëllim i tyre është bllokimi i veprimeve ligjore të Republikës së Kosovës. Ato nisën pas arrestimit të ish-zyrtarit policor Pantiq i cili akuzohet për kryerjen e veprave terroristeve dhe sulm kundër rendit kushtetues, por, tashmë rreth barrikadave çdo ditë po njoftohemi me kërkesa të reja të shtyra nga Serbia për arritjen e qëllimeve të tyre politike”, theksoi ai.

Sveçla tha se kërkesa për lirimin e ish-policit Pantiq nga ana e serbëve lokalë është e paarsyeshme, sepse ai është arrestuar me të drejtë dhe bazuar në ligjet e Kosovës.

Ministri Sveçla tha se Pantiq po mbahet në Stacionin Policor në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë, në Jarinje, ndërsa tha se gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe e ka trajtimin e duhur.

Sveçla tha se mënyra më e mirë e largimit të barrikadave është nga ata të cilët i kanë vendosur, derisa theksoi se autoritetet kosovare janë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe po presin që sa më parë të veprohet nga KFOR-i.

“U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë, apo mund të themi se është rënduar dhe po presim që sa më shpejtë barrikadat të largohen, e në qoftë se kjo nuk ndodh, ne kemi kapacitetet e nevojshme për ta bërë vetë”, theksoi Sveçla.

Në fund ministri tha se sot gjatë ditës një banor 14-vjeçar i lagjes “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë është sulmuar nga grupet kriminale, duke shkuar në lagjen e tij. Sipas ministrit, fëmija ka pësuar lëndime fizike dhe është dërguar për tretman mjekësor ndërsa Policia po angazhohet në zbardhjen e këtij rasti.

Në protestën e cila u mbajt nga serbët lokalë sot në Rudarë të Zveçanit, serbët kërkuan që urgjentisht të lirohen serbët të cilët janë arrestuar, Milan Axhiq dhe Dejan Pantiq; të tërhiqen listat sekrete me emrat e serbëve të cilët kanë qenë pjesë në protestat e qytetarëve nga shtatori i vitit të kaluar deri më sot; të tërhiqet njësia speciale e policisë nga veriu dhe veturat e tyre me garanci të KFOR-it që ata nuk do të vijnë më në veri dhe atëherë do të mund të largohen barrikadat në veri.

Barrikadat në veri të vendit në rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak u vendosën nga 10 dhjetori nga serbët lokalë si përgjigje ndaj arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq nga autoritetet e rendit në Kosovë, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë dhe përfaqësues të vendeve perëndimore kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave në veri të vendit për të mundësuar lëvizjen e lirë, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *