Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi të enjten takoi sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone.
Sipas një njoftimi për media, në këtë takim, Bislimi prezantoi tre shtyllat e mandatit të tij: integrimin evropian, zhvillimin dhe dialogun.
“Në lidhje me integrimin evropian, ai theksoi se Republika e Kosovës mirëpret planin e ri për zgjerim dhe se mbetet e përkushtuar maksimalisht për hapa të rëndësishme përpara në këtë proces. Procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci e shpërndarje të barabartë për të gjitha shtetet.
Kosova është tashmë në vitin e 7-të të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe gjendet e përgatitur institucionalisht për marrjen e pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim, në zhvillimin ekonomik, Kosova ka dëshmuar se përtej barrierave me të cilat është përballur, ka arritur rritje ekonomike e të performojë pozitivisht në rankime e matje ndërkombëtare.
“Sa i përket procesit të dialogut, Bislimi tha se Kosova në vazhdimësi ka qenë palë konstruktive. Ndërkohë, përmes shkeljeve të shumta të Marrëveshjes Bazike, Serbia ka dëshmuar se është palë bllokuese në këtë proces.
Në mesin e këtyre shkeljeve, ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke cenuar nenin 4 të Marrëveshjes Bazike. Po ashtu, Serbia refuzoi dhe nënshkrimin e marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit.
Në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai theksoi se ishte një akt agresioni i një shteti kandidat për anëtarësim në BE, kundër një kandidati ende potencial për anëtarësim”, thuhet tutje në njoftim.
Gjithashtu në përfundim u diskutua dhe mbi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale me Francën dhe mundësitë për thellimin e tyre.
“Paraprakisht zëvendëskryeministri Bislimi pati një takim dhe me të dërguarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, ku vlerësoi lartësisht kontributin e angazhimin e Francës në rajon.
Prezent në këto takime ishin dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, dhe Zëvendës Drejtori i Departamentit për Ballkan në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Nicolas Faye”, thuhet ndër të tjera në njoftim.